Sondazh

Grushtat në protestë, a shënojnë fundin e saj?

Loading ... Loading ...
 

“Në 2008, tur diplomatik për pavarësinë”/ Hashim Thaçi: Kishim takime të rregullta informuese me partnerët perëndimorë

schedule21:28 - 20 Gusht, 2026

schedule 21:28 - 20 Gusht, 2026

Ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka rrëfyer detaje nga periudha para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke theksuar angazhimin diplomatik me partnerët perëndimorë gjatë vitit 2008.

Ai kujton takimet me përfaqësues të SHBA-së dhe vendeve kryesore evropiane, ndërsa thekson se ekipi i tij mbante kontakte dhe takime të rregullta informuese me kryeqendrat perëndimore për ecurinë e procesit.

Thaçi ka treguar gjithashtu se një ditë para shpalljes së pavarësisë kishte marrë një telefonatë nga kryeministri i atëhershëm i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, i cili i kishte konfirmuar mbështetjen e Turqisë për Kosovën dhe njohjen e saj pas shpalljes së pavarësisë.



“Kosova u zotua të ndërtojë shtet demokratik, me kushtetutë dhe ligje moderne. Shumica absolute parlamentare mbështeste procesin. Në shërbim të unitetit me sa duket politik, si lider opozite, u pajtova që zgjedhjet e rregullta lokale të vjeshtës së vitit 2006 të shtyhen për një vit. Në qershor 2007, nga ndërkombëtarët u vendos që bisedimet për statusin politik të vazhdonin edhe për gjashtë muaj. Filluam të diskutojmë: a duhet të organizojmë zgjedhjet e rregullta të përgjithshme, apo përsëri në emër të “unitetit politik” të shtyheshin për kohë të pacaktuar? Atyre që ishin në pushtet iu leverdiste shtyrja. Edhe disa nga ndërkombëtarët lobonin, në veçanti kreu i UNMIK-ut. Filloi të flitej aty-këtu edhe për mundësinë e krijimit të një lloj “Asambleje Kushtetuese”. Ato tri vite (2004-2007), institucionet kishin kaluar nëpër ndryshime të mëdha kadrovike. Krijimi i Asamblesë Kushtetuese do të ishte gabim, sepse paraqiste mohim të institucioneve të zgjedhura nga vota qytetare.

Kategorikisht isha kundër.

Kah mesi i verës, Ekipi i Unitetit u pritëm në Uashington. Kishin kaluar rreth dy muaj kur Presidenti i SHBA-së Xhorxh Bush, më 10 qershor në Tiranë kishte deklaruar mes tjerash “ç’është mjaft, është mjaft. Kosova është e pavarur”. Gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë, këshilltari për siguri nacionale i tij, Stephen Hadley, na dha porosi të qarta: “Mos e kaloni kohën duke pritur, kryeni zgjedhjet, përgatituni mirë për atë që ju pret, duhet t’i keni institucionet të qëndrueshme”.

U kthyem në Prishtinë. Përsëri krerët e UNMIK-ut pretendonin që me urdhër ekzekutiv të shtynin zgjedhjet. E kuptoja motivin e mbrapsht të tyre. Pata ballafaqim jo të lehtë me ta. Takova edhe përfaqësuesit diplomatik; nuk ishin unikë, por shumica u deklaruan në favor të zgjedhjeve. Institucioneve po u kalonte mandati demokratik. Puna e Ekipit të Unitetit ndjeshëm kishte filluar të zbehej.

Pas shumë hezitimeve, u vendos që zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale të mbahen në të njëjtën datë, më 17 nëntor.

Skena politike, siç edhe pritej, pësoi ndryshime tektonike. PDK-ja fitoi bindshëm. Disa prej anëtarëve të Ekipit të Unitetit iu cenua rëndë legjitimiteti qytetar, disa e humbën fare.

Ndërtuam koalicion të madh. Iu kthyem rregullave dhe jetës normale demokratike. Ndikimi i UNMIK-ut ra shumë. Si fitues i zgjedhjeve, u zgjodha kryeministër me 87 vota të deputetëve. Në favorin tim votoi edhe një pjesë e mirë e opozitës

Në Vjenë bisedova edhe Albert Rohanin, negociatorin e BE-së për Kosovën. Gjatë drekës u lidhëm në telefon edhe me Presidentin Ahtisaari; edhe mendimi tyre ishte: “Kosova duhet të lëvizë”. Me zyrën e Presidentit të Francës N. Sarkozy mbaja lidhje direkte, që mbaja të informuar për ecurinë e procesit. Po ashtu, Londra, Roma, Berlini dhe kryeqendrat tjera perëndimore ishin shumë aktive, që procesi të përmbyllej suksesshëm. Ekipi im edhe me këto shtete mbante takime të rregullta informuese.

Një ditë para se të shpallnim pavarësinë, Kryeministri i Turqisë Erdogan më thirri në telefon, mes tjerash më tha: “Seancën e Parlamentit të Kosovës do ta përcjell drejtpërdrejt bashkë me kabinetin e qeverisë, në momentin që ju do të shpallni pavarësinë, ne do të votojmë për njohje…urime shteti i Kosovës – qoftë i bekuar populli i Kosovës”.

Gjatë gjithë këtyre takimeve dhe bisedave të tjera; kisha dhënë garanci të plotë se: “Kosova e pavarur do të ishte vend i të gjithë qytetarëve të saj pa dallim etnik apo fetar”.

Kështu, Kosova shpalli Pavarësinë.”, theksoi Thaçi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!