Gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” me afat 45 ditë për gjashtë personat e arrestuar, të dyshuar për përfshirjen në ngjarjen ku u godit Shefi i Krimeve të Komisariatit të Sarandës, Mateo Bakalli.
Vendimi është dhënë pasditen e djeshme nga gjyqtari Shkëlzen Licaj, pas një seance gjyqësore që zgjati disa orë.
Prokuroria kishte kërkuar vlerësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masës “Arrest në burg” për Ardit Kasemin, Besnik Sulovarin, Elgent Ndojn, Faik Hoxhën, Indrit Çullhajn dhe Marjo Katirain.
Pas shqyrtimit të provave të paraqitura nga organi i akuzës dhe dëgjimit të pretendimeve të mbrojtjes, gjykata vlerësoi të ligjshëm arrestimin në flagrancë të gjashtë të dyshuarve.
Ndaj tyre u caktua masa e sigurisë “Arrest në burg” me afat 45 ditë, periudhë gjatë së cilës pritet vijimi i hetimeve dhe mbledhja e provave të tjera në funksion të akuzës.
Të gjashtë personat vijojnë të jenë nën hetim për ngjarjen, ndërsa organi i akuzës pritet të vijojë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive të secilit prej tyre.
/abcnews.al/


