Sondazh

A po e dëmtojnë protestat turizmin në Shqipëri?

Loading ... Loading ...
 

Ishte i armatosur me automatik/ U vëzhgua me dron ‘Bayraktar’, si u zbulua vendi ku fshihej Ylli Zalla

schedule10:49 - 17 Gusht, 2026

schedule 10:49 - 17 Gusht, 2026

KRUJË- Detaje të reja dalin në dritë nga operacioni i Policisë së Shtetit dhe forcave RENEA për kapjen e Ylli Zallës, i cili ishte shpallur në kërkim prej vitit 2025.

Ai u vu në pranga në orët e parë të mëngjesit të kësaj të hënë në Krujë. Lajmin e konfirmoi vetë ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, i cili përgëzoi realizmin me sukses të operacionit për kapjen e Zallës.

Burime konfirmojnë se në momentin e arrestimit, Ylli Zalla ishte i armatosur me kallashnikov me tre krehëra fishekë. Ai qëndronte i fshehur në një zonë të pyllëzuar, pranë banesës së tij në fshatin Zallë.



Zona ku fshihej Zalla u mbajt prej ditësh ne vëzhgim me dron të teknologjisë se larte ‘Bayraktar’ nga Forcat Operacionale të drejtorisë së Policisë Tiranës. Zalla fshihej rreth 500 metra larg nga shtëpia e tij, ku mbrëmjen e se shtunës u vendos një sasi tritoli.

Njoftimi i Policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Fundi i Arratisë”, për kapjen e një personi shumë të kërkuar dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Operacioni u zhvillua nga Forcat Speciale RENEA, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, strukturat operacionale të DVP Tiranë dhe Komisariati i Policisë Krujë.

Gjatë operacionit, në Krujë, u kap personi shumë i kërkuar Ylli Zalla, i cili kishte mundur t’i shpëtonte disa herë Policisë.

Në kuadër të operacionit “Fundi i Arratisë”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar 49-vjeçarin në një zonë të pyllëzuar. Në momentin e kapjes, atij iu gjet dhe iu sekuestrua një armë zjarri kallashnikov dhe 3 krehra.

Më datë 14 nëntor 2025, në banesën e tij u gjet një arsenal armësh, lëndësh plasëse, armësh zjarri dhe municioni.

Më datë 20 shkurt, në vijim të kontrolleve të ushtruara në zonën përreth dhe pranë banesës së 49-vjeçarit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë gjetën dhe sekuestruan një arsenal armësh, lëndësh plasëse dhe municioni luftarak, lëndë narkotike Cannabis Sativa, uniforma policie dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Gjithashtu, më datë 23 qershor, në vijim të operacioneve për kapjen e tij, gjatë kontrollit në banesën e 49-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë me fishekë në fole, gati për qitje, një celular, municion luftarak dhe një detektor frekuencash.

Materialet procedurale do t’u referohen Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!