VLORË- Një zjarr ka përfshirë një godinë në zonën e Lungomares në Vlorë, ku ndodhet edhe një hotel. Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë nisur fillimisht në lokalin në katin e parë të godinës, dhe më pas janë përhapur në katin e dytë, ku ndodhej hoteli, si dhe në fasadën e pallatit.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e Policisë dhe shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur lokalizimin e zjarrit. Ndërkohë, godina fillimisht është evakuuar për shkak të rrezikut.
Si pasojë e zjarrit, gjashtë persona(pesë shqiptarë nga Kosova dhe një nga Rrësheni) kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar për ndihmë mjekësore.
Sipas Policisë, pesë nga të lënduarit janë transportuar për mjekim në Spitalin e Djegieve në Tiranë, ku 2 prej tyre kanë pësuar djegie të konsiderueshme trupore. Një pushues tjetër po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Vlorë.
Për t’u shpëtuar flakëve dhe tymit, një pjesë e personave që ndodheshin në godinë kanë dalë nga dritaret dhe ballkonet duke u hedhur prej tyre. Shërbimet e Policisë dhe strukturat përkatëse kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e rënies së zjarrit. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht ngjarjen


