Në fshatin Koilaç të Mallakastrës, zjarri i së shtunës ka shkatërruar dhjetëra hektarë me ullinj, vreshta dhe pemëtari. Banorët tregojnë se flakët përpinë çdo gjë që gjenin përpara. Ata thonë se zjarret fatmirësisht nuk lënduan njerëz, por u shkatërruan ekonomitë e tyre familjare.
Mbi 50 hektarë tokë me ullishte, vreshta, sera diellore dhe pemëtari janë përfshirë nga flakët në fshatin Koilac të Mallakastrës. Ky është bilanci paraprak i dëmeve të shkaktuara nga zjarri i dy ditëve më parë, i cili për pak orë rrezikoi edhe banesat e fshatit.
Zjarri nisi rreth orës 14:00 të së shtunës, në periferi të fshatit. Të favorizuara nga era e fortë, flakët u përhapën me shpejtësi, duke përfshirë sipërfaqe të mëdha me ullishte, vreshta, sera dhe pemë frutore.
“Ora ishte 2 pa pak, kur dola jashtë, pashë që s’kishte drita, kishte shumë tym… frynte shumë erë”, u shpreh një qytetare.
“Sa hap e mbyll sytë, këtu u përpi çdo gjë”.
“U ndjemë shumë të rrezikuar, erdhi policia, na nxori”, tregoi një qytetar.
Për banorët e Koilaçit, mbrëmja e së shtunës ka qenë një prej momenteve më të vështira. Me lot në sy, ata tregojnë tmerrin e përjetuar, teksa flakët afroheshin drejt banesave dhe shkrumbonin gjithçka gjenin përpara.
“130 rrënjë ullinj, edhe hardhitë. Besoj 80 milionë lekë dëm. Kërkoj ndihmë, të më vlerësohen ullinjtë”.
“U ndjemë shumë të rrezikuar, menduam se ikëm të tërë po mos të ishin zjarrfikësit”.
Banorët kërkojnë që dëmet të vlerësohen sa më shpejt, pasi për shumë prej tyre ullishtet dhe vreshtaria janë i vetmi burim të ardhurash.
“Ne s’kemi ujë, kërkojmë ujë dhe vlerësim dëmi. Na është djegur ullinjtë, pemët…”
“80 rrënjë ullinj, dua vlerësimin se jam pensioniste, ku do shkoj unë me 100 mijë lekë. Te ullinjtë e kisha shpresën, kam 30 vite që merrem me këtë”, shprehet ai.
Sipas banorëve, zjarri dyshohet se është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike në një shtyllë të tensionit të lartë. Ndërsa pritet të përcaktohet nga hetimet.
Tashmë, pasi flakët janë shuar, në Koilaç kanë mbetur tokat e nxira dhe dhjetëra hektarë prodhim e pasuri të shkrumbuar. Banorët presin vlerësimin e dëmeve dhe mbështetje për të përballuar pasojat e zjarrit.
/abcnews.al/


