ELBASAN – Dy operacione policore të koduara “Last Fire” dhe “Mbikëqyrja” janë finalizuar nga Komisariati i Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Elbasan, duke çuar në arrestimin e dy personave.
Në kuadër të operacionit “Last Fire”, policia ka ndaluar 43-vjeçarin, banues në Elbasan, i cili dyshohet se më 7 gusht 2026, rreth orës 01:00, ka djegur me lëndë djegëse automjetin në përdorim nga një 26-vjeçar.
Sipas policisë, nga hetimet e thelluara dyshohet se 43-vjeçari është gjithashtu autor i djegies së dy automjeteve të tjera, në pronësi të shtetasit E. H., ngjarje e ndodhur më 28 qershor 2026.
Ndërkohë, në kuadër të operacionit “Mbikëqyrja”, shërbimet e policisë kanë kapur në flagrancë dhe arrestuar 32-vjeçarin D. R., banues në Elbasan.
Gjatë kontrollit fizik në lagjen “Brigada 17 Sulmuese”, policia i gjeti një armë zjarri pistoletë, 35 fishekë, si dhe një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë.
Në vijim të veprimeve procedurale, 32-vjeçari u arrestua për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Arma e zjarrit, municioni dhe lënda narkotike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.


