Tre persona janë arrestuar nga Policia e Shtetit në aksin rrugor Librazhd–Elbasan, pasi u kapën duke transportuar gjithsej 24 emigrantë të paligjshëm, të cilët kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri dhe synonin të kalonin drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Operacionet u zhvilluan nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për veprimtari të paligjshme të transportimit të emigrantëve kundrejt pagesës.
Gjatë operacionit të parë u arrestua në flagrancë një 22-vjeçar, banues në Elbasan, i cili po transportonte me automjet 14 emigrantë të paligjshëm.
Në një tjetër ndërhyrje, policia arrestoi dy të rinj, 23 dhe 24 vjeç, banues në Përrenjas, të cilët po transportonin 10 emigrantë të tjerë. Nga verifikimet rezultoi se njëri prej tyre drejtonte automjetin pa leje drejtimi.
Gjatë operacioneve u sekuestruan dy automjetet e përdorura për transportimin e emigrantëve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.


