Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lëshuar paralajmërime të reja ndaj Iranit, duke deklaruar se Uashingtoni do të reagojë ashpër nëse Ngushtica e Hormuzit nuk rihapet brenda një kohe të shkurtër.
Në një intervistë për Fox News, Trump u shpreh se SHBA-ja “do ta godasë shumë fort” Iranin nëse rruga strategjike detare nuk hapet “shumë shpejt”. Megjithatë, ai theksoi se negociatat me Teheranin po ecin në drejtimin e duhur dhe se pala iraniane dëshiron një marrëveshje që do t’i japë fund tensioneve të muajve të fundit.
Nga ana tjetër, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se është shënuar përparim në bisedimet me Iranin dhe Omanin, edhe pse ende nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare. Ai u shpreh optimist se një zgjidhje mund të vijë së shpejti.
Edhe Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi për CNBC se një marrëveshje për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit mund të arrihet “sot ose nesër”.
Në përpjekjet diplomatike janë përfshirë edhe Katari, Omani dhe Pakistani, të cilët po ndërmjetësojnë për të gjetur një zgjidhje afatshkurtër që do të mundësojë rifillimin e dialogut mes palëve.
Ndërkohë, pritshmëritë për një marrëveshje kanë ndikuar edhe në tregjet ndërkombëtare të energjisë. Çmimi i naftës Brent ra me 5.26%, duke zbritur në 79.36 dollarë për fuçi, niveli më i ulët që nga 10 korriku, si pasojë e optimizmit për rihapjen e një prej korridoreve më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.



