Policia e Sarandës ka finalizuar operacionin e koduar “Silenciatori”, duke parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale. Si rezultat i ndërhyrjes në kohë dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative, janë arrestuar 5 persona dhe janë sekuestruar armë zjarri e municion.
Sipas policisë, dy prej të arrestuarve u kapën në flagrancë në fshatin Gjashtë, pranë një lokali, teksa kishin nxjerrë armët e zjarrit nga automjeti dhe qëndronin në pritë në një zonë pa ndriçim.
Në pranga ranë shtetasit Sidorel Moriseni, 32 vjeç, banues në Tiranë; Alfred Kaja, 26 vjeç, banues në Kavajë; Vitrin Hoxha, 20 vjeç, banues në Kavajë; Vonis Poka, 31 vjeç, banues në Tiranë; dhe Franko Bobja, 21 vjeç, banues në Kavajë.
ABC News ka siguruar foto të 32-vjeçarit Sidorel Moriseni dhe 26-vjeçarit Alfred Kaja.
Sipas burimeve policore, të pesë të arrestuarit rezultojnë me precedentë penalë në fushën e narkotikeve. Hetuesit dyshojnë se ata ishin nisur për të ekzekutuar një person, megjithatë, gjatë marrjes në pyetje, asnjeri prej tyre nuk ka pranuar të japë deklarime apo të bashkëpunojë me hetimin.
Nga veprimet e deritanishme hetimore dyshohet se grupi kishte udhëtuar drejt Sarandës me qëllim kryerjen e një vrasjeje. Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë në bashkëpunim me Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, identifikimin e objektivit të dyshuar dhe dokumentimin ligjor të veprimtarisë kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për veprime të mëtejshme.
/abcnews.al/





