Qeveri të shumta në Evropën Qendrore dhe Lindore po marrin masa për të shmangur një krizë energjetike, pasi rënia rekorde e nivelit të ujit në lumin Danub ka çuar termocentralet në prag të mbylljes.
Thatësia e vazhdueshme dhe valët e njëpasnjëshme të të nxehtit ekstrem kanë pakësuar ndjeshëm prurjet e njërit prej lumenjve më të mëdhenj të Evropës.
Të hënën, niveli i Danubit në Budapest, kryeqytetin e Hungarisë, ka rënë edhe për 10 centimetra të tjerë.
Nuk pritet që niveli i ujit në Danub të rritet gjatë ditëve apo javëve në vijim, pasi nuk parashikohen reshje të konsiderueshme, ndërsa rajoni po përballet me një valë të re të nxehti ekstrem, me temperatura që kalojnë 38 gradë celsius. Si pasojë, konsumi i energjisë elektrike dhe i ujit është në rritje.
Rënia rekorde e nivelit në Danub e ka çuar centralin e vetëm bërthamor të Hungarisë, Paks, në prag të ndalimit të plotë të funksionimit për herë të parë në 44 vjet.
Centrali i Paksit, i cili përdor ujin e Danubit për të ftohur reaktorët, të hënën prodhoi vetëm 240 megavat energji, krahasuar me rreth 2.000 megavat që prodhon zakonisht, për shkak të uljes graduale të fuqisë së katër reaktorëve.
Në një video të publikuar në Facebook të hënën, kryeministri hungarez, Peter Magyar, ka thënë se inxhinierët kanë arritur ta mbanin përkohësisht në funksion turbinën e fundit operative të centralit.
“Ky është një lajm shumë i mirë, sepse mbyllja e plotë e centralit bërthamor të Paksit ende mund të shmanget, të paktën përkohësisht, në një nga ditët me konsumin më të lartë të energjisë”, ka thënë Magyar.
Sipas tij, ndalimi i plotë i centralit ka të ngjarë të ndodhë të martën ose të mërkurën.
Ndërkohë, edhe centralet në vendet fqinje të Hungarisë kanë pësuar rënie të ndjeshme të prodhimit të energjisë.
Ushtria rumune ka përdorur të hënën 180 kilogramë eksplozivë për të kryer një shpërthim të kontrolluar në shkëmbinj pranë Kanalit Bala, në pjesën e poshtme të Danubit, me synimin për të devijuar më shumë ujë drejt rrjedhës kryesore të lumit dhe më pas drejt centralit bërthamor shtetëror të Cernavodës.
Prurja e ujit në Danub në territorin rumun ka rënë në 1.500 metra kub në sekondë, më pak se një e treta e mesatares së muajit korrik. Autoritetet kanë ndalur tashmë një nga njësitë e reaktorëve në centralin e Cernavodës, i cili po funksionon me rreth gjysmën e kapacitetit normal.
Në Serbi, niveli i ulët i Danubit ka bërë që hidrocentrali kryesor i vendit të funksionojë me vetëm 20% të kapacitetit të tij, duke detyruar kryeministrin Gjuro Macut të drejtojë të hënën një mbledhje urgjente kushtuar krizës energjetike.
Ndërsa në fshatin Batina në Kroacinë lindore, banorët vendas kanë gjetur vetura të shkatërruara dhe sende të tjera të hedhura në shtratin e lumit, ndërsa niveli i ujit ka rënë për më shumë se 130 centimetra javën e kaluar.


