TIRANË– Shqipëria nis një kapitull të ri për ushtrinë. 40 mjete të reja taktike “Made in Albania” i janë dorëzuar Forcave të Armatosura, ndërsa kryeministri Edi Rama u shpreh se deri në 2028,ushtria shqiptare do të jetë e pajisur me të gjitha kapacitetet sipas standardeve të NATO-s.
Qeveria synon që Shqipëria jo vetëm të forcojë mbrojtjen e saj, por edhe të kthehet në prodhuese dhe eksportuese të industrisë ushtarake.
Eksperti i sigurisë Faik Basha, i ftuar në “Tirana Live” theksoi se ky është një moment krenarie për ushtarakët aktivë, por edhe për ata, që duan ta shikojnë modernizimin e Forcave të Armatosura.
“Një moment krenarie për ushtarakët aktivë, por edhe për ne, që kemi studiuar dhe kemi dhënë një kontribut dhe që kemi dëshirën për të parë Forcat e Armatosura me një nivel të ngjashëm me ato të aleatëve. Sot flasim për një epokë të re, flasim për një industri të re, flasim për modernizimin e FA-së. Nuk ishte parë që ne të zhvillonim industrinë”, tha Faik Basha.
Ai theksoi se në kohën kur vendi drejtohej nga Sali Berisha, pajiset ushtarake të Shqipërisë u dërguan për skrap. Gjatë diskutimit, Faik Basha u shpreh se Shqipëria duhet të punojë për të ngritur një sistem mbrojtës kundërajror.
Sipas tij, Shqipëria rrezikon shumë në aspektin strategjik nëse nuk do të arrijë të modernizojë në kohë Forcat e Armatosura.
“Pajiset ushtarake të Shqipërisë u çuan për skrap. Ballkani Perëndimor është një pikë e nxehtë dhe kemi parë që i vetmi vend që është satelit i Rusisë në Ballkan që është Serbia, e cila ka blerë armë dhe po armatoset. Ne ishim duke punuar për ta shkatërruar ushtrinë tonë nëse ne nuk marrim masa për t’u mbrojtur, rreziku është shumë herë më i madh. Shqipëria duhet të ngre një sistem të mbrojtjes kundërajrore. Shqipëria rrezikon shumë strategjikisht nëse nuk arrin në kohë të modernizojnë Forcat tona të Armatosura.”, tha ai.
Ai e cilësoi një gabim shumë të rëndë qëndrimin e Partisë Demokratike, e cila përveçse nuk e vetoi në Kuvend, vendosi ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese huanë prej 302 milionë dollarë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Gabim shumë i rëndë dhe nuk do doja që opozita e vendit tim të mbante këtë qëndrim ndaj një investimi që vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është investim, i cili e rrit sigurinë tonë kombëtare“, tha ai./ abcnews.al


