Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në aktivitetin “Future Hospitality Forum 2026”.
Gjatë fjalës së tij kryeministri Rama theksoi se aty ku është edhe potenciali i jashtëzakonshëm i Shqipërisë takohet me investimet apo edhe me markat ndërkombëtare.
Ai nënvizoi se është ambicia kryesore për ta çuar turizmin shqiptar në një nivel të ri.
“Synimi ynë është që të kemi më shumë interes nga investitorët ndërkombëtarë, për të pasur edhe më shumë një prizëm të elitës së lartë”, tha ai.
Kryeministri Rama po ashtu theksoi se Shqipëria është një vend ku mikpritja është organike dhe se sipas tij turistët e huaj e kanë treguar më së miri atë.
Pjesë nga fjala e kryeministrit Edi Rama:
Ishte vërtet një moment shumë i vështirë kur na u desh të përballeshim me faktin se sa larg dhe sa shumë prapa ishim krahasuar me botën jashtë nesh, me fqinjët tanë dhe me emrat e mëdhenj të kësaj industrie në kontinentin tonë. Nuk kishte asnjë hotel me pesë yje dhe, jo vetëm që nuk kishte asnjë të tillë në vend, por as nuk dukej ndonjë i tillë në horizont dhe përpjekja për t’iu afruar ekselencës së kësaj industrie ishte gjithmonë e sikletshme, sepse ata tregoheshin të sjellshëm thjesht për formalitet, por na kthenin mbrapsht duke na thënë: ‘’Nuk kemi arritur ende në atë pikë dhe nuk kemi asnjë plan për ta marrë në konsideratë vendin tuaj’’. Pra, vendi ynë ishte vërtet një vrimë e zezë në hartën e industrisë së turizmit në Europë dhe ata që ne i numëronim si turistë, shifrat mbi të cilat mbështeteshin statistikat tona, ishin praktikisht numrat e udhëtarëve që hynin e dilnin, përfshirë edhe ne vetë.
Kështu, kushdo që dilte nga vendi për të bërë diçka, qoftë për punë, për të takuar familjen jashtë apo për të kaluar pushimet, sapo regjistrohej sërish në aeroportin tonë kur kthehej, numërohej si turist. Dhe, megjithëse kjo shifër ishte e fryrë, ajo nuk arrinte të kalonte dy milionë.
Ndërsa tani jemi mbi 12 milionë dhe ndodhemi vërtet në një moment kur në vend që të gëzohemi për rritjen e kërkesës, shqetësohemi për nevojën urgjente për të rritur cilësinë sepse nuk mund të shohim më vetëm atë anë të medaljes që tani shkëlqen, por që nesër mund të shkëlqejë më tepër dhe në njëfarë mënyre, të na verbojë për sa i përket së ardhmes së vendit.
Sepse të gjithë e dimë se një numër i madh turistësh me të ardhura mesatare dhe të ulëta ushtron një trysni të madhe mbi infrastrukturën, shërbimet, mjedisin dhe gjithashtu mbi njerëzit tanë. Sigurisht, e dimë se nuk ekzistojnë mekanizma për të penguar ardhjen e më shumë njerëzve, por në të njëjtën kohë, jemi shumë të vetëdijshëm se duhet të krijojmë më shumë hapësirë dhe më shumë kushte që ekselenca të vijë e të bëhet një forcë më vete në vend.
Teksa ngjiteshit në katin e dytë, jam i sigurt se patët mundësi të shihnit disa nga maketet e ekspozuara poshtë, të cilat janë rezultat i një pune të jashtëzakonshme që po bëhet prej disa vitesh në këtë vend, me studio arkitekture shumë prestigjioze dhe me mendje krijuese të mahnitshme nga bota e planifikimit urban dhe e arkitekturës.
/abcnews.al/


