TIRANË– Ish-nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, është shprehur kundër protestave duke i cilësuar ato si të dëmshme për interesat e vendit, investimeve të huaja dhe për vetë procesin e integrimit europian.
I ftuar në “Edicionin qendror” të lajmeve në ABC News, Spaho tha se protesta synon të sabotojë një investim të rëndësishëm për Shqipërinë dhe, sipas tij, përbën një përpjekje për të penguar anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Ai vlerësoi edhe qëndrimin e kryeministrit Edi Rama, i cili u shpreh se misioni i tij madhor është integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ai theksoi se partitë politike duhet të jenë të unifikuara rreth objektivit të anëtarësimit në BE.
“Që ditën e parë që ka filluar kjo protestë, jam shprehur kundër saj për dy arsye kryesore: së pari kërkojnë të sabotojë një investim, që është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. Së dyti, përbën problemin më të rëndësishëm se ai i pari, e kam parë dhe po e shoh, protestën si përpjekje të qëllimshme, e atyre që nuk janë dashamirës me Shqipërinë dhe tentojnë të sabotojnë integrimin e vendit në BE. Ne na ndajnë më pas se një vit nga mbyllja e kapitujve.
I kam bërë thirrje kryeministrit Rama që të mos influencohet nga kjo protestë dhe as mos t’i shkojë ndërmend që të japë dorëheqjen, por të vazhdojë misionin për ta çuar Shqipërinë në BE. E gjithë politika duhet të jetë e unifikuar për në BE. Kjo është një ëndërr, që ka nisur që në kohën e Rilindjes. Sot të biesh në lojëra kaq të rrezikshme për ta ardhmen e vendit, mendoj se është një nga gabimet më të rënda që po bëhet, nga to që po e bëjnë. Qëndrime që mbajti Rama i arsyeshëm dhe personalisht e inkurajoj në këtë drejtim”, theksoi Edmond Spaho.
Duke komentuar edhe qëndrimin e Partisë Demokratike ndaj marrëveshjes së huasë prej 302 milionë dollarësh, të cilën opozita nuk e votoi dhe e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese, Spaho kritikoi ashpër vendimmarrjen e PD-së. Sipas tij, PD bëri autogol me veprimin e saj.
Sipas tij, opozita po vendos interesat e politikës së ditës mbi interesat kombëtare, një qëndrim që, sipas tij, është reflektuar edhe në kundërshtimin e marrëveshjes ushtarake me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Për fat të keq, PD, sikurse e thashë, vë interesat e politikës së ditës, të politikës së brendshme mbi interesat kombëtare siç është integrimi evropian i vendit. Jam shprehur dhe kundër qëndrimit të PD në lidhje me qëndrimit të marrëveshjes ushtarake me ShBA. Kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme për rolin e Shqipërisë në NATO, jam shprehur që PD duhet ta kishte votuar dhe nëse do kisha mundësi do ta votoja, pavarësisht pretendimeve që ngrohen shkelje të procedurave.
Këtu shikoj një autogol të PD-së duke mos marrë pjesë në votim. PD po vuan koston e të pasurit në krye të saj të Sali Berishën, i cili dihet së bashku me familjen e tij, janë shpallur “non grata” nga SHBA dhe PD do ta vuajë këtë faturë, do ta vuajë dhe nuk beso. Problemi në PD, është Sali Berisha. Nuk mund të ngresh skenar, për sa kohë PD do drejtohet nga Berisha”, theksoi ai./abcnews.al


