Franca po përballet me një nga sezonet më të rënda të zjarreve në historinë e saj, ndërsa zjarret masive në jugperëndim të vendit kanë shkaktuar një fenomen të rrallë dhe ekstrem të njohur si “stuhi zjarri”.
Ekspertët paralajmërojnë se ky zhvillim është një sinjal i qartë se Evropa po hyn në një fazë të re të zjarreve pyjore, më intensive dhe më të vështira për t’u kontrolluar.
Sipas specialistëve, një stuhi zjarri krijohet kur një vatër me intensitet shumë të lartë gjeneron sasi të mëdha nxehtësie që ngrihen në atmosferë, duke formuar re të ngjashme me ato të stuhive. Këto mund të prodhojnë erëra të fuqishme, reshje dhe madje edhe vetëtima, duke favorizuar përhapjen e mëtejshme të flakëve.
Franca ka regjistruar rreth 290 mijë hektarë tokë të djegur, sipërfaqja më e madhe e dokumentuar ndonjëherë në vend. Presidenti Emmanuel Macron e ka cilësuar situatën si një nga më të vështirat që nga Lufta e Dytë Botërore.
“Jemi futur në një epokë zjarresh që nuk mund të shuhen lehtë”, është shprehur eksperti i inxhinierisë pyjore dhe ndryshimeve globale, Víctor Resco de Dios, duke theksuar se disa prej këtyre zjarreve arrijnë intensitet ekstrem.
Ndërkohë, Qendra Evropiane për Parashikime të Motit Afatmesëm (ECMWF) po verifikon nëse ky është rasti i parë i dokumentuar i një stuhie zjarri në Francë.
Situata mbetet kritike edhe në Spanjë, ku zjarret kanë detyruar autoritetet të kërkojnë ndihmë nga Bashkimi Evropian. Flakët kanë kërcënuar zona të banuara, destinacione turistike, rajone të njohura për prodhimin e verës dhe infrastrukturë të rëndësishme.
Mbi 300 mijë persona janë evakuuar në Francë dhe Spanjë, ndërsa shkencëtarët e lidhin intensitetin e këtij sezoni me ndikimin e ndryshimeve klimatike. Reshjet e shumta gjatë dimrit favorizuan rritjen e bimësisë, ndërsa valët e gjata të të nxehtit krijuan kushtet ideale për përhapjen e zjarreve.
Ekspertët paralajmërojnë se pa uljen e temperaturave globale, fenomenet ekstreme të zjarreve pritet të bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më shkatërruese në Evropë.



