Nga Ardit Rada
Agron Shehaj nuk është një politikan në kuptimin klasik të fjalës. Edhe vetë partia e tij e prezanton me krenari si “biznesmen që ka hyrë në politikë”. Ideja është e thjeshtë: një njeri që ka fituar milionat e veta nuk ka pse të vjedhë paratë e buxhetit. Por politika nuk matet vetëm me faturat që nuk paguan apo tenderët që nuk merr. Politika matet me respektin për institucionet dhe rregullat. Pikërisht aty fillon problemi i Agron Shehajt.
Shpesh biznesmenët, të ndershëm ose jo, krijojnë bindjen se suksesi ekonomik jashtë lidhjeve politike u jep një status të veçantë. Se mund të kalojnë semaforin kur duan, të mos vendosin rripin e sigurimit, të mos respektojnë procedurat, sepse janë “self-made” kur vjen puna te leku. Kjo mendësi, kur hyn në politikë, bëhet edhe më e rrezikshme. Deputeti nuk është pronar i Kuvendit. Ndoshta është I mandatit të tij dhe të ndonjë tjetri, por dokumentet shtetërore nuk janë dosje kompanie që merren në zyrë për t’u parë me qetësi pas një dreke me verë qindra euroshe.
Agron Shehaj është një produkt aksidental i politikës shqiptare. Ai hyri në Partinë Demokratike në çadrën e vitit 2017, në një kohë kur Lulzim Basha u tregua bujar me sponsorët politikë. Më pas u nda nga Berisha, krijoi partinë e tij dhe nisi të ndërtojë profilin e një opozitari të ri, duke investuar miliona për të blerë jo vetëm hapësirë mediatike, por edhe kapital politik.
Një prej investimeve të tij ishte Instituti “Lumo Skëndo”, me Uran Butkën në krye. Paradoksi është se eshtrat e Lumo Skëndos (pseudonim i Mit’hat Frashërit) i solli në Shqipëri Edi Rama, ndërsa Shehaj ndërtoi një institut që, më shumë sesa të prodhonte ide apo studime, u bë i njohur për listëpagesat dhe fondet që shpërndante. Kjo shpjegon edhe etiketimin e tij si “ballist” në debatin politik, ndonëse kontributi i tij në historinë e së djathtës matet më shumë me investime financiare sesa me ide apo beteja politike.
Por episodi i dokumentit sekret për marrëveshjen Shqipëri-SHBA e nxori zbuluar në mënyrën më të keqe. Nuk ishte një akt guximi politik, por një demonstrim papjekurie institucionale. Procedura është e qartë: dokumenti lexohet në ambientet e Bibliotekës së Kuvendit, pasi firmos përgjegjësinë për ruajtjen e sekretit. Nuk merret në zyrë, nuk mbahet i kyçur për minuta të tëra dhe më pas nuk kthehet me justifikimin se “më takonte”. Nëse veprimi ishte impulsiv, kërkon ndjesë publike. Nëse ishte i menduar, bëhet edhe më i rëndë.
Këtu fillon edhe keqkuptimi i madh që Agron Shehaj ka me politikën. Ai duket se mendon se çdo gjë është spektakël, se çdo rregull mund të thyhet në emër të një videoje virale ose të disa mijëra klikimeve në rrjetet sociale. Por politika nuk është platformë marketingu dhe Kuvendi nuk është Kinostudio.
Po aq shqetësues është edhe heshtja e drejtësisë. Në një kohë kur Shqipëria ngre alarmin për rrjete spiunazhi, ndikim të huaj dhe rrjedhje informacioni të klasifikuar, një deputet periferik merr një dokument sekret, largohet me të në zyrën e tij, e mban jashtë kontrollit institucional për aq kohë sa të mund ta fotografojë apo ta kopjojë dhe më pas e rikthen si të mos kishte ndodhur asgjë. Në çdo shtet serioz, kjo nuk do të ishte thjesht një debat televiziv. Do të ishte objekt i menjëhershëm hetimi.
Në filmin “Mysafiri”, Zonja Agathi (që e luan Esma Agolli, ndjesë pastë) fotografonte fshehurazi hartat e ekspeditës gjeologjike. Ishte personazhi që mishëronte spiunin klasik të kinemasë së realizmit socialist, duke prerë në besë atë që kishte futur në shtëpi. Ironia është se sot këtë rol e luan një ballist, jo në film, por në ambientet e Parlamentit.
Kur një deputet sillet me dokumentet sekrete si me fletët e një mbledhjeje ortakësh në kompani, nuk po sfidon kundërshtarin politik. Po sfidon vetë shtetin që ka bërë betimin ta mbrojë.
Dhe ky është thelbi i çështjes. Nuk ka rëndësi nëse dokumenti u fotografua apo jo. Nuk ka rëndësi as nëse qëllimi ishte propagandë apo protagonizëm. Rëndësi ka precedenti. Sepse shtetet nuk bien vetëm nga tradhtitë e mëdha; ato rrënohen edhe kur shkelja e rregullit relativizohet, kur institucioni kthehet në skenë dhe kur ligji matet me popullaritetin e autorit. Nëse sot mjafton të thuash “më takonte” për të marrë një dokument sekret nga Kuvendi, vaj hallit nëse Zonjën Agathi do ta kemi një ditë të veshur me pushtet ekzekutiv.



