Sondazh

A po e dëmtojnë protestat turizmin në Shqipëri?

Loading ... Loading ...
 

Çmim ndërkombëtar për gazetarin e ABC News/ Artur Nura nderohet në Romë, vlerësim për kontributin mediatik

schedule12:30 - 21 Korrik, 2026

schedule 12:30 - 21 Korrik, 2026

Në sallën prestigjioze të Protomotekës në Campidoglio të Romës u zhvillua ceremonia e dytë e Fairness Magazine Awards 2026, një aktivitet që vlerëson personalitete të kulturës, medias, institucioneve, sipërmarrjes dhe shoqërisë civile për kontributin e tyre në promovimin e vlerave dhe të identitetit italian në arenën ndërkombëtare. Në këtë edicion u ndanë 12 çmime për figura që janë dalluar në fushat e tyre profesionale.

Mes emrave të nderuar spikati gazetari shqiptar Artur Nura, i cili mori vlerësimin për kontributin e tij shumëvjeçar në gazetari dhe komunikim. Çmimi vlerësoi veprimtarinë e tij profesionale në Radio Radicale të Romës, si edhe punën e tij si autor dhe moderator i emisionit “Të Gjitha Rrugët Çojnë në Romë” në ABC News Albania, një format televiziv që ndërton ura komunikimi mes Shqipërisë dhe Italisë, duke sjellë në vëmendje historinë, kulturën, diplomacinë, ekonominë dhe marrëdhëniet mes dy vendeve.

Vlerësimi i akorduar për Artur Nurën përfaqëson jo vetëm një sukses personal, por edhe një moment falenderimi per ABC News Albania duke dëshmuar se në këtë televizion profesionalizmi dhe puna e vazhdueshme mund të fitojnë respekt në skenat më prestigjioze ndërkombëtare.



Ceremonia në Campidoglio mblodhi përfaqësues të institucioneve, botës akademike, sipërmarrjes, kulturës dhe medias, duke konfirmuar karakterin ndërkombëtar të Fairness Magazine Awards, një nismë që promovon dialogun, meritën dhe bashkëpunimin mes kulturave.

Çmimi për gazetarin shqiptar Artur Nura përforcon rolin e medias si një urë lidhëse mes popujve dhe evidenton rëndësinë e gazetarisë që promovon njohjen reciproke, dialogun kulturor dhe vlerat evropiane. Ky vlerësim i dhënë në zemër të Romës përbën një tjetër dëshmi se kontributi i profesionistëve shqiptarë vijon të vlerësohet në skenën ndërkombëtare.

Fairness Magazine Awards është një nismë kulturore e revistës me të njëjtin emër, Fairness Magazine, e krijuar për të promovuar dialogun ndërkombëtar, meritokracinë dhe shkëmbimin e përvojave mes Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Përmes vlerësimit të personaliteteve të spikatura në media, kulturë, diplomaci, sipërmarrje dhe jetën publike, kjo nismë synon të ndërtojë ura bashkëpunimi dhe mirëkuptimi përmes vlerave të përbashkëta.

Vlerësimi i gazetarit shqiptar Artur Nura i jep kësaj nisme edhe një dimension të ri, duke krijuar një lidhje domethënëse mes Britanisë së Madhe, Italisë dhe Shqipërisë, ku media dhe kultura shërbejnë si ura komunikimi dhe bashkëpunimi ndërkombëtar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!