Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance pranoi se administrata Trump e menaxhoi keq procesin e publikimit të dosjeve të Jeffrey Epstein, duke deklaruar se Departamenti i Drejtësisë duhej “t’i publikonte të gjitha që në fillim”.
Në një intervistë në podkastin e Joe Rogan, Vance tha se administrata “dështoi plotësisht me komunikimin” rreth dosjeve Epstein, por këmbënguli se vonesat nuk kishin për qëllim fshehjen e informacionit.
“Procesi zgjati më shumë seç duhej? Po. Por në fund i publikuam dosjet,” u shpreh ai.
Publikimi i dokumenteve nisi pas presionit të vazhdueshëm si nga demokratët, ashtu edhe nga mbështetës të lëvizjes MAGA, presion që u shtua pasi Kongresi miratoi në nëntor të vitit të kaluar Aktin e Transparencës së Dosjeve Epstein.
Vance kritikoi edhe ish-Prokuroren e Përgjithshme, Pam Bondi, duke thënë se ajo “e ekzagjeroi” përmbajtjen e dokumenteve që administrata kishte në dispozicion.
“Ajo u kritikua publikisht nga shumë njerëz, përfshirë edhe mua,” tha ai, duke shtuar se edhe vetë kishte qenë ndër ata që ushqenin dyshime dhe teori rreth dosjeve Epstein.
Dokumentet përmbajnë të dhëna mbi abuzimin seksual të të miturve nga Jeffrey Epstein, si edhe referenca për rrjetin e tij të njohjeve me figura të rëndësishme publike, mes tyre ish-presidenti Bill Clinton dhe presidenti Donald Trump. Të dy kanë mohuar çdo përfshirje në veprimtari të paligjshme dhe kanë dënuar veprimet e Epstein.
Sipas Vance, publikimi i materialeve mund të ishte realizuar shumë më shpejt.
“Sigurisht që duhej kohë për të shqyrtuar dokumentet, për të mbrojtur identitetin e viktimave dhe për të bërë redaktimet e nevojshme, por procesi duhej të ishte përfunduar sa më shpejt që të ishte e mundur,” tha ai.
Ai shpjegoi se një pjesë e vonesave lidhej me punën e Departamentit të Drejtësisë për të balancuar mbrojtjen e identitetit të viktimave me publikimin e sa më shumë informacioni.
“Departamenti i Drejtësisë u përpoq të bënte vlerësimin më të mirë të mundshëm dhe të publikonte sa më shumë dokumente”, deklaroi Vance.
Gjatë intervistës, ai dhe Joe Rogan diskutuan gjithashtu për teoritë e ndryshme që kanë qarkulluar ndër vite rreth çështjes Epstein dhe mënyrës se si është trajtuar publikimi i dosjeve.



