65 ditë larg komoditetit, një romancë që nuk u shndërrua në histori dashurie dhe bashkëpunimi me një nga ikonat e kinemasë botërore. Aktori zbulon në “ABC e Mëngjesit” anën e tij që publiku nuk e kishte parë kurrë. Publiku e ka njohur prej vitesh në skenë dhe në ekran, por eksperienca në “Ferma VIP” zbuloi një Indri Shiroka krejt ndryshe. Për 65 ditë, aktori provoi një realitet larg kamerave të kinemasë, duke sfiduar veten fizikisht dhe emocionalisht në një aventurë që, siç pranon edhe vetë, nuk mendonte se do ta përfundonte.
I ftuar në studion e “ABC e Mëngjesit”, Indri Shiroka tregon se hyrjen në format e mbajti sekret deri në momentin e fundit. Qëllimi i tij nuk ishte fama, por të eksperimentonte veten në një dimension krejtësisht të ri.
“Në fillim nuk besoja se do të rezistoja gjatë, por sa më shumë kalonte koha, aq më tepër të motivonte sfida dhe dëshira për të arritur deri në fund,” rrëfen ai. Nëse do të fitonte çmimin e madh, aktori thotë se kishte një plan të qartë: të siguronte të ardhmen e djalit të tij dhe të shlyente disa detyrime financiare.
Një nga temat më të komentuara gjatë qëndrimit në fermë ishte afrimiteti me Vanesën. Indri e përshkruan atë si një lidhje të bukur, por që nuk kishte kushtet për të vazhduar jashtë formatit.
“Ka qenë një njohje e sinqertë, por unë nuk isha gati për një marrëdhënie. Edhe diferenca në moshë pati ndikimin e saj,” shprehet ai. Megjithatë, ai zbulon se Vanesa pati rastin të njihte edhe nënën e tij dhe vazhdon të gëzojë respektin e familjes. Gjatë intervistës, aktori ndalet edhe te një debat që e ka shoqëruar prej vitesh: mbiemri Shiroka. Si nip i aktorit të njohur Beb Shiroka, ai mohon pretendimet se ndryshimi i mbiemrit është bërë për të përfituar nga fama e gjyshit.
“Për mua është krenari të mbaj mbiemrin e tij, por çdo rol që kam fituar e kam arritur me punën time. Secili prej nesh ka historinë dhe rrugëtimin e vet,” thekson ai.
Karriera e Indrit tashmë ka kaluar edhe kufijtë shqiptarë. Në vitin 2027 pritet të dalë në kinema projekti i tij më i ri ndërkombëtar, ku ai interpreton përkrah yllit të Hollywood-it, Mel Gibson. Aktori shqiptar tregon se regjisori dhe ekipi u impresionuan nga fakti se shumë prej skenave i realizonte pa pasur nevojë për dubla.
Takimi me Mel Gibson ishte një moment që nuk do ta harrojë kurrë. “Kur e pashë për herë të parë, mbeta pa fjalë. Ishte jashtëzakonisht i përqendruar në punë dhe nuk patëm shumë kohë për të biseduar, por ishte një eksperiencë që do ta mbaj mend gjatë,” rrëfen ai. /abcnews.al



