Task-forca e Bashkisë së Pogradecit, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit, ka intensifikuar kontrollet përgjatë vijës bregliqenore për të garantuar zbatimin e rregullave gjatë sezonit turistik dhe ndarjen e hapësirave publike nga ato private.
Sipas të dhënave zyrtare, rreth 60 perqind e vijës së liqenit mbetet plazh publik, ndërsa pjesa tjetër administrohet nga subjekte private me kontrata të posaçme. Autoritetet konfirmojnë se ky raport pritet të ndryshojë në favor të hapësirave publike, pasi çdo territor për të cilin nuk lidhen kontratat përkatëse do të kalojë për përdorim të lirë për pushuesit.
Në 7 plazhet publike të qytetit ofrohen çadra pa pagesë, ndërsa siguria në zonat e frekuentuara garantohet nga vrojtues të trajnuar.
Agjencia Kombëtare e Bregdetit thotë se plazhet publike rezultojnë të mirëadministruara, të pajisura me sinjalistikën përkatëse dhe të kufizuara me perimetër, ndërsa vrojtuesit janë në detyrë dhe të certifikuar sipas standardeve.
Autoritetet paralajmërojnë se edhe subjektet private do të jenë nën monitorim të vazhdueshëm, ndërsa kontrollet në terren do të zhvillohen në mënyrë periodike përgjatë gjithë sezonit veror.



