Është arrestuar në një resort në zonën e Dhërmiut, Granit Pepnika. Granit Pepnika është arrestuar nga forcat operacionale dhe policia e Vlorës. Në rrugë operative policia e Vlorës ka patur informacion mbi vendndodhjen e tij dhe e ka mbajtur në vëzhgim.
Në momentin kur po dilte për të shkuar për të pushuar e kanë arrestuar. Operacioni është finalizuar nga Operacionalia e Policisë së Vlorës. Granit Pepnika nuk ka patur kohë të reagojë. Nuk ka bërë rezistencë. Operacioni është në zhvillim e sipër pasi janë evidentuar dhe disa sende të tjera të kundraligjshme të cilat do të jenë pjesë e hetimit.
Arrestimi i tij vjen në kuadër të dosjes së bujshme të call centerave, që dyshohet se kanë mashtruar qindra qytetarë europianë dhe kanë shkaktuar një dëm financiar që llogaritet mbi 50 milionë euro.
Sipas dosjes hetimore, skema funksiononte përmes call centerave të organizuar në mënyrë profesionale, ku operatorët komunikonin në gjermanisht, italisht dhe anglisht me qytetarë europianë, duke u prezantuar si këshilltarë financiarë apo përfaqësues platformash investimi.
Hetuesit dyshojnë se viktimat joshesin përmes platformave të rreme online, ku u premtoheshin fitime të mëdha nga investimet në bursë, kriptovaluta apo tregje financiare. Në shumë raste përdornin identitete false, pseudonime dhe profile të fabrikuara për të krijuar besim tek personat që kontaktonin.



