Bashkimi Europian është i gatshëm që të riorientojë fondet për reformat në Ballkanin Perëndimor drejt vendeve që kanë përparuar në rrugën drejt integrimit si Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
Sipas mediave ndërkombëtare, bëhet fjalë për financimet e dhëna përmes planit të rritjes për vendet e Ballkanit, instrument që mbulon periudhën 2024-2027, dhe që kërkon kritere të rrepta për t’u përthithur nga shtetet e rajonit.
Por, deri më tani nga paketa 6 miliardë euro janë përthithur vetëm 673 milionë euro dhe financimet kanë shkuar thuajse vetëm për tre vende. Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë përparuar në procesin e integrimit falë reformave të ndërmarra, ccka do të thotë se mund të përfitojnë më shumë fonde shtëse se planifikimi fillestar nga rialokimi.
Ndërkohë, shtete si Bosnje Hercegovina, Kosova dhe Serbia nuk kanë ndjekur të njëjtën linjë. Sipas zyrtarëve të Komisionit Europian, për vendet që nuk kanë përmbushur reformat dhe kanë tejkaluar afatet e përthithjes së fondeve, këto të fundit mund të rishpërndahen midis përfituesve të tjerë.
Shqipëria deri më tani ka përthithur më shumë se 200 milionë euro nga plani i rritjes, ndërkohë sipas planifikimit fillestar vendi do të përfitonte nga ky instrument mbi 922 milionë euro.
Humbësi më i madh pritet të jetë Bosnje Hercegovina që deri më tani nuk ka marrë asnjë financim nga ky program, pasi nuk ka plotësuar reformat e kërkuara. Kosova dhe Serbia po ashtu pritet të disavantazhohen nga kjo lëvizje, që deri më tani kanë marrë vetëm fondet e parafinancimit.
Komisioni pritet t’u japë më shumë detaje për këtë çështje vendeve të Ballkanit Perëndimor brenda këtij muaji, duke përfshirë edhe sasinë e fondeve që do të rialokohen./abcnews.al



