Mbi 777 mijë pensionistë do të përfitojnë një bonus prej 5 mijë lekësh, duke nisur nga 1 korriku. Vendimi është marrë pas mbledhjes së Qeverisë, ku u miratua rishikimi i buxhetit të vitit 2026, duke rishpërndarë një sërë fondesh.
Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, tha se efekti financiar i kësaj mase është rreth 3.7 miliardë lekë dhe se është një vendim që vjen në vijim të politikës së Qeverisë për të mbështetur pensionistët.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, tha se akti normativ parashikon një rritje të të ardhurave buxhetore me 20.1 miliardë lekë. Drafti parashikon që fondi më i madh, prej 10.3 miliardë lekësh, do të shkojë për mbrojtjen, duke bërë që financimi i mbrojtjes të arrijë në 2.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, në përputhje me objektivat ndaj Aleancës Euroatlantike/NATO.
Me anë të rishikimit të buxhetit është parashikuar edhe fondi që do të përdoret për dyfishimin e pagesave për fëmijët me aftësi të kufizuara, si dhe një shtesë prej 1.5 miliardë lekësh do të shkojë për sigurimin e barnave të Onkologjikut.
Sipas ministrit, një shtesë fondesh do të alokohet edhe për rritjen e pagave të mjekëve të urgjencës dhe zjarrfikësve.
Gjithashtu, përmes aktit normativ është vendosur të rritet edhe skema e Garancisë Sovrane, duke e çuar në 5 miliardë lekë, nga 3 miliardë lekë që është aktualisht, duke zgjeruar edhe fushën e mbulimit nga bujqësia te SME-të dhe sektorë të tjerë të ekonomisë.



