Sondazh

Kupa e Botës, shkon:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Luftoi 10 minuta me vdekjen, shpëtoi 3 jetë, historia e 32-vjeçarit nga Elbasani në Ksamil

schedule12:28 - 29 Qershor, 2026

schedule 12:28 - 29 Qershor, 2026

Një akt i rrallë guximi dhe humanizmi vjen nga plazhi i Ksamilit, ku 32-vjeçari Denis Luka, punues artistik në bojë dhe patinime, rrezikoi jetën e tij për të shpëtuar tre persona nga mbytja.
Denisi, me origjinë nga Elbasani, prej dy muajsh po punon në Sarandë. Ditën e ngjarjes ai kishte dalë për të peshkuar, pa e ditur se shumë shpejt do të përballej me një nga sfidat më të mëdha të jetës së tij. “Jam i apasionuar pas peshkimit dhe atë ditë kisha dalë për peshk. Pranë meje erdhi një zotëri së bashku me djalin e tij. Nuk dinin shqip, por po komunikonim në anglisht dhe po kalonim shumë mirë bashkë”, rrëfen Denisi.

Pak më vonë, burri i tregoi se bashkëshortja dhe vajza e tij po laheshin në det, së bashku me një grua tjetër. Në ato momente, deti nisi të ashpërsohej dhe dallgët u bënë gjithnjë e më të forta.
“Pashë që dallgët i kishin spostuar rreth 100 metra larg bregut dhe nuk po arrinin të manovronin. Babai u fut në det, por as ai nuk dinte not. Nuk u mendova dy herë, u hodha menjëherë për t’i shpëtuar”, tregon ai.

Denisi mori një komerdare që ndodhej pranë dhe u nis drejt tyre, por shumë shpejt edhe vetë u përball me rrymën e fuqishme të detit. “Nga rryma humba kontrollin dhe nuk po kuptoja më çfarë po ndodhte. U mobilizuan njerëzit, ndërsa disa varka të vogla po afroheshin për të ndihmuar.”



Pas një beteje dramatike me dallgët, tre personat u shpëtuan. Por heroizmi i Denisit pati një kosto të madhe për të. “Piva shumë ujë dhe kisha probleme me frymëmarrjen. Ambulanca më dërgoi në spital, nga ku dola vetëm dje”, rrëfen ai.

Familja e tij ende nuk kishte mësuar asgjë për ngjarjen deri në momentin e intervistës. “Duhej të dilja nga spitali sot, por nënës i kisha premtuar se do të shkoja të dielën në shtëpi. Ata nuk dinë asgjë për atë që ka ndodhur.”

Momenti i largimit me ambulancë i ka mbetur ende i turbullt në kujtesë. “Më kujtohet vetëm që familja po qante ndërsa po futesha në ambulancë. Unë i kam fëmijët pikë të dobët dhe do ta rrezikoja përsëri jetën për ta.”

Ndoshta nuk është rastësi që Denisi reagoi pa hezitim. Ai vetë ka përjetuar një histori të ngjashme në fëmijëri. “Kur isha 9 vjeç, kam qenë duke u mbytur në Greqi. Deti ishte shumë i rrëmbyeshëm dhe për shkak të peshës së ulët nuk kisha fuqi të notoja.”/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!