Siguria kibernetike në Shqipëri do të vlerësohet tashmë si një element me rëndësi për sigurinë Kombëtare. Qeveria ka propozuar ndryshime në ligjin “Për sigurinë kibernetike”, duke synuar forcimin e mbrojtjes së infrastrukturave kritike dhe rritjen e kapaciteteve kombëtare për përballimin e sulmeve kibernetike.
Projektligji zgjeron kompetencat e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, i cili do të ketë rol më të madh në koordinimin e reagimit ndaj incidenteve, organizimin e trajnimeve për institucionet shtetërore dhe autorizimin e organeve të certifikimit në fushën e sigurisë kibernetike.
Një nga risitë kryesore është detyrimi për operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme që të vetëdeklarojnë masat e sigurisë kibernetike që zbatojnë, si dhe të raportojnë administrimin e sistemeve të tyre të informacionit.
Në draft parashikohet ndër të tjera edhe krijimi i Grupit Ndërinstitucional të Inteligjencës Kibernetike, ku do të marrin pjesë AKSK, Ministria e Brendshme, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Shërbimi Informativ i Shtetit, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.
Ndryshimet në draft forcojnë edhe masat detyruese për operatorët e infrastrukturave kritike, të cilët do të duhet të zbatojnë masat teknike të komunikuara nga Autoriteti për bllokimin, filtrimin dhe neutralizimin e kërcënimeve kibernetike.
Nëse këto masa nuk zbatohen parashikohen penalitete dhe gjoba deri në 10 milionë lekë për subjektet që nuk përmbushin detyrimet ligjore ose nuk zbatojnë masat e sigurisë së kërkuara.
Sipas draftit, ndryshimet synojnë rritjen e nivelit të sigurisë kibernetike në vend dhe forcimin e mbrojtjes së shërbimeve publike e private që mbështeten në sistemet e informacionit.
Sipas relacionit, zbatimi i projektligjit do të ketë edhe kosto financiare për buxhetin e shtetit, të lidhura kryesisht me personelin e specializuar dhe funksionimin e strukturave të reja. Efekti vlerësohet në 350–450 milionë lekë në vit, ndërsa për fazën fillestare gjatë vitit 2026 parashikohet një kosto prej 120–150 milionë lekësh.
/abcnews.al/



