Nuk ishte e lehtë, por si mund të jetë ndryshe në këtë nivel. Egjipti vuajti shumë, ishte në humbje për gati një orë ndaj Zelandës së Re, dhe gjeti avantazhin vetëm pas 67 minutash, por gjithsesi fitoi dhe është shumë pranë një arritjeje historike.
Të mbiquajturit “Faraonët” janë në prag të kualifikimit për në raundin e dytë në Kupën e Botës, diçka që nuk e kanë bërë kurrë më parë.
Shtatë herë kampionët e Afrikës mund të jenë në turin e dytë pas 4 pjesëmarrjeve në botërorë.
Suksesi ndaj neozelandezëve ishte 3-1 në Vankuver të Kanadasë, dhe afrikanët e veriut ishin më mirë, edhe pse pësuan gol në 15’ nga Sërman.
Ata ishin më lart edhe në mbajtje topi, edhe në gjuajtje, por edhe në zotësi taktike e talent lojtarësh.
Kapiteni Mohamed Salah udhëhoqi shokët me një gol e një asist. Mostafa Ziko, me këtë emër për nder të ish-yllit të Brazilit, barazoi në 58’, Salah realizoi të dytin në 67’ dhe krijoi të tretin në 82’, shënuar nga Trezege.
Ish-sulmuesi i Liverpulit u shpall edhe lojtari më i mirë i ndeshjes. Kjo ishte fitorja e parë e Egjiptit në 9 sfida në kupat e botës, e nëse mund edhe Iranin del i pari në grup, por kualifikimi duket diçka e arritur.



