Si riprodhim i festimeve pagane, “Festa e Grurit” në Fier ishte edhe këtë herë, një shfaqje e përmasave të mëdha ku lidhja e myzeqarëve me tokën, u shpalos me të gjitha format e saj.
Nisja e sezonit të korrjeve shoqëruar me festimet e banorëve për “bukën e re” datojnë që në lashtësi, kurse prej 8 vitesh bashkia e Fierit ka risjellë traditën nëpërmjet festes se grurit që zhvillohet pranë Apolonisë antike.
Eventi është tashmë në një destinacion argëtues dhe kulturor për mijëra vizitorë vendas dhe të huaj.
Me paradën e vajzave, kombajnerët dhe bukëpjekësit, demonstrohet deri në hollësi, procesi i mbjelljes, korrjes dhe festimeve për grurin. Deputetja dhe drejtuesja e PS të Qarkut të Fierit, Belinda Balluku vlerësoi këtë ngjarje kulturore duke shtuar se qeveria nëpërmjet subvencioneve po mbështet fermerët të qëndrojnë pranë bujqësisë
“Ndodhemi në Festën e Grurit, tashmë një organizim tradicional që bëhet nga Bashkia e Fierit, por me mbështetje të shumë institucioneve të tjera. Pjesëmarrja është vërtet mbresëlënëse,. Sepse ka njerëz jo vetëm nga Fieri, por nga Vlora dhe ajo që më gëzon më shumë është se kanë ardhur shumë njerëz nga diaspora. Është e rëndësishme të thuhet që festa të tilla përveçse krijojnë jetë sociale në qarkun e Fierit nga ana tjetër edhe i nxisin njerëzit për t’i afruar më afër bujqësisë. Ashtu siç e dimë gruri është shumë i rëndësishëm për Myzeqenë edhe pse këtë vit ka pasur një rënie në rendimentin e tij, nga ana tjetër ne e nxisim të gjitha paketat që Ministri e Bujqësisë ka prezantuar, që janë paketat e subvencioneve që janë shumë të rëndësishme, por edhe vetë puna e fermerëve të Myzeqesë është kriteri kryesor për ë ngritur këtë prodhim”, tha Balluku.
Afërsisht 5000 pjesëmarrës ndoqën edhe koncertin me muzikë popullore, shijuan gatimet tradicionale si dhe mësuan nga bujqit mënyrën se si ruhen kultivarët e grurit
Festa e grurit synon të promovojë dhe nxisë fermerët të kultivojnë drithëra dhe veçanërisht grurin vendas. Eventi është vlerësuar nga Agjencia Kombëtare e Turizmit e cila e renditi mes pesë festave tradicionale më të mira në shkallë vendi./abcnews.al



