Salvadore Aliu, sipas Prokurorisë së Posaçme, konsiderohet si personi kyç i rrjetit kriminal që trafikoi 50 ton kokainë në vendet e Evropës, ku të përfshirë ishin edhe Eldi Dizdari dhe Dritan Gjika.
I njohur me nofkat “Qerosi”, “Qero”, “Daja” etj., Salvadore Aliu ishte në rolin e furnizuesit, siguruesit, organizatorit dhe financuesit të ngarkesave me kokainë nga Ekuadori në vendet e Evropës Perëndimore dhe në Shqipëri.
Vëllai i tij, Isa Aliu, kishte ideuar një skemë të mirëfilltë të pastrimit të parave të pista në Shqipëri. Madje ka dyshime se në territorin tonë janë pastruar të paktën 30 milionë euro nga gushti në nëntor të vitit 2020, të cilat kanë rrjedhur nga aktiviteti i trafikut të kokainës.
Skema u zbardh nga SPAK përmes komunikimeve në aplikacionin Sky ECC, ku Salvadore Aliu komunikon me vëllain e tij dhe i sugjeron këtij të fundit që të fshehë shumat e parave duke i futur në fuçi 50-litërshe dhe më pas t’i groposë ato.
Paratë që gjeneroheshin nga ky aktivitet kriminal janë transferuar në Shqipëri në formën monetare “cash”, për të shmangur sistemin bankar në fazën e parë, dhe më pas janë investuar në pasuri të paluajtshme, në krijimin dhe blerjen e aksioneve të kompanive tregtare, shoqëri të ndryshme kryesisht në fushën e ndërtimit, hotelerisë, konsulencës etj.
Ky operacion konsiderohet si më i rëndësishmi nga Prokuroria e Posaçme në fushën e krimit të organizuar. Deri më tani janë lëshuar masa sigurie “arrest në burg” për 10 persona. Megjithatë, po verifikohet roli i të tjerëve që janë ekspozuar në biseda.
Në kuadër të këtij hetimi, 17 persona fizikë dhe 23 zyra u kontrolluan nga agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, me vendim të Gjykatës së Posaçme, për sekuestrimin e sendeve të ndryshme në dobi të hetimit që po udhëhiqet nga kreu i SPAK-ut, Klodian Braho, dhe Doloreza Musabelli.
Në mesin e dhjetëra kontrolleve të kryera nga hetuesit është edhe biznesmeni i ndërtimeve Kujtim Shtufi, si dhe kompania e tij Ferro Beton & Construction Co. Kujtim Shtufi është vëllai i Ilir Shtufit, person i arrestuar në Greqi, pasi dyshohet se ka pastruar paratë e grupit kriminal të Luciano Koççekut, që u godit pak ditë më parë nga SPAK, përmes kompanive Nova Construction sh.p.k. dhe Develalb.
Kontrollet te Shtufi u kryen me qëllim sekuestrimin e dokumenteve apo të pajisjeve elektronike, që mund ta ndihmojnë SPAK-un të shkojë më tej me zbardhjen e skemës së përdorur për pastrimin e parave të drogës.
/abcnews.al/



