Samiti i G7 në Evian të Francës nuk u karakterizua vetëm nga diskutimet për çështjet globale, por edhe nga momente të papritura dhe humoristike, ku në qendër të vëmendjes ishte Presidenti amerikan Donald Trump.
Gjatë një takimi pune me liderët e vendeve më të industrializuara, Trump shkaktoi të qeshura kur deklaroi me humor: “Unë jam shefi”, përpara se diskutimet të kalonin te temat serioze të ndihmës ndërkombëtare dhe zhvillimit.
Një tjetër episod i veçantë ndodhi gjatë takimit me Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed Al Nahyan. Duke iu referuar një gazetari që sapo kishte bërë një pyetje, Trump komentoi: “Çfarë burri i pashëm. A është nga vendi juaj? Është kaq i pashëm, mund ta vendosja në një film tani”.
Presidenti amerikan bëri shaka edhe për pasurinë e homologut të tij nga Emiratet, duke thënë se njerëzit shumë të pasur mund të flasin qetësisht sepse kanë vetëbesim të madh.
Edhe liderët evropianë dhuruan momente të tilla. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tregoi se kishte lënë duhanin një muaj më parë, ndërsa Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa kujtoi se ai e kishte lënë cigaren prej 21 vitesh.
Futbolli ishte një tjetër temë që shoqëroi samitin. Presidenti francez Emmanuel Macron, Trump dhe Emiri i Katarit diskutuan për triumfin e Paris Saint-Germain në Ligën e Kampionëve, ndërsa Macron shpjegoi se klubi francez është në pronësi të investitorëve nga Katari.
Në fund të samitit, kancelari gjerman Friedrich Merz i dhuroi Trumpit një fanellë të kombëtares gjermane me emrin e tij dhe numrin 47, në referencë me faktin se ai është presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara.
Një tjetër surprizë ishte dhurata e veçantë për të gjithë liderët pjesëmarrës: biçikleta të personalizuara me emrat dhe ngjyrat e vendeve të tyre, në kuadër të promovimit të Kampionatit Botëror të Çiklizmit 2027 që do të zhvillohet në Francë.
/abcnews.al/



