Kryeministri Edi Rama, gjatë një bashkëbisedimi me banorët e fshatit Zvërnec, ka komentuar debatet dhe reagimet që shoqëruan investimet në zonë, duke folur edhe për përhapjen e informacioneve që, sipas tij, synonin të krijonin tensione dhe dezinformim.
Rama u shpreh se në ditët e para të debatit pati një rritje të pazakontë të aktivitetit në rrjetet sociale dhe se sipas tij u ndërtua një narrativë e organizuar për të nxitur shqetësime te qytetarët.
“Është mbushur bulevardi me njerëz që t’ju mbrojnë ju nga unë. Ata atje kanë dalë që të flasin në emrin tim. Kjo është diçka e stisur në mënyrë shumë djallëzore. Ne kemi një sistem të mbrojtjes nga sulmet që bëhen nga faktorë të tjerë kundër nesh. U bë vite që ne jemi shënjestër e Iranit”, deklaroi Rama.
Kryeministri tha se përhapja e pretendimeve se në zonë do të vendoseshin palestinezë u përdor për të krijuar panik dhe për të dëmtuar imazhin e vendit.
“Është hedhur narrativa që këtu do vijnë palestinezët dhe kjo është bërë në një sistem shumë të qartë për ne, në disa xhami. Aty nga njerëz që janë penetruar në atë sistem është hedhur hirra dhe të tjerë e kanë marrë këtë shqetësim duke e besuar. Gjëja ka marrë përmasa botërore”, tha ai.
Sipas Ramës, kjo narrativë cenon një nga elementët më të rëndësishëm të reputacionit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
“Është shumë e thjeshtë për të kuptuar se kjo narrativë fillon duke shkatërruar një nga pikat më të forta të reputacionit shqiptar në botë, që është se si myslimanët shqiptarë bashkë me të krishterët shpëtuan hebrenj”, përfundoi kryeministri.
/abcnews.al/


