Koncert në vitin 2026. Ripërtëritja përballë rilindjes. Analogia përballë dixhitales.
Por gjithçka fillon me të njëjtën rrokje: ri.
Sali Berisha zbuloi logon e re politike të partisë së tij. Në fakt, është ajo që i duhet PD-së: ripërtëritje. Problemi është se ripërtëritja është e vetmja gjë që Berisha nuk ofron dot.
Prej disa ditësh deputetët e tij skifterë po hapin tezën se partia duhet të ndryshojë. Përveç Sali Berishës.
Por ka njerëz në PD që ende nuk i dorëzohen idesë se PD tashmë ka marrë rrugën e… doktorit.
Një ditë para Kuvendit Kombëtar të doktorit, Salianji tregon forcën në sheshin pak metra larg me demokratët. Flet në shesh, por dëshiron akoma ta dëgjojnë brenda.
“Ne nuk mund të pranojmë sot që në PD të jenë kaq përtacë sa të thonë në Kuvendin Kombëtar: ripërtëritje. Berisha autokrat i opozitës.”, tha ai.
Por e vjetra i ka rrënjët thellë në PD. Tani doktorit i shkojnë pas edhe ata pak plangprishës të epokës së fundit liberale të PD-së.
Megjithatë ngelen pak. Shumica e demokratëve dukshëm janë të mërzitur me situatën e tyre në vendnumëro, ndërkohë që Shqipëria ka nisur koncertin e saj europian.
Koncert në vitin 2026. Historia përsëritet sërish, vetëm se në formë komike.
Berisha si Nuri Bej, me cingijet. Ervin Salianji si nënprefekti Fotaq, era moderne që futet dot në rrobat e vjetra të PD-së, por që tundohet akoma prej tyre.
Kurse Rama, që edhe pas katër mandatesh e shumë mëkatesh, ende u shfaqet shqiptarëve progresist si Nesti Bënja. Dhe në fund, janë qytetarët që zgjedhin.


