Në prag të sezonit turistik veror autoritet në vend kanë marrë një sërë masash për të menaxhuar fluksin e turistëve të huaj dhe për të ulur pritjet në dogana e pika kufitare.
Ministri i Financave, Petrit Malaj gjatë një vizitë në Degën Doganore në Portin e Durrësit, tha se synohet që të ulet koha e pritjes së udhëtareve që vijnë apo dalin nga vendi.
Konkretisht, synohet që koha e pritjes për mjetet private të reduktohet në më pak se 2 minuta, ndërsa për kroçerat në më pak se 20 minuta. Ndër masat e ndërmarra në funksion të sezonit turistik janë edhe Krijimi i kanaleve të gjelbra për udhëtarët pa mallra për deklarim si dhe shtimi i korsive dhe riorganizimi i stafit në oraret me fluks të lartë.
Të dhënat e katërmujorit të parë të vitit 2026 konfirmojnë rëndësinë strategjike të Portit të Durrësit, me 94,869 imbarkime si edhe me të ardhura doganore në vlerën 32.85 miliardë lekë, ose 2.45 miliardë lekë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Vetëm gjatë muajit prill 2026 vendi regjistroi rreth 900 mijë vizitorë të huaj, me një rritje prej rreth 9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Fluksi pritet të rritet më tej gjatë pikut të sezonit veror, çka kërkon koordinim më të madh institucional, kapacitete operacionale të shtuara dhe standarde më të larta sigurie e shërbimi.
/abcnews.al/


