Vlora është e gjitha e përfshirë nga atmosfera folklorike. Qytetarët shijuan spektaklin e dhuruar nga ansamble nga vende të ndryshme të botës, që kanë mbërritur këtë fundjavë në qytetin bregdetar në kuadër të festivalit ndërkombëtar “Aulona Folk Festival”.
Në rrugët e qytetit, atmosfera ka qenë festive dhe plot ngjyra.
Grupet pjesëmarrëse kanë kërcyer valle tradicionale, ndërsa secili ansambël është dalluar nga kostumet shumëngjyrëshe dhe muzika karakteristike e kulturave të tyre.
Turistë dhe qytetarë të shumtë janë ndalur për të ndjekur nga afër shfaqjet artistike.
Më shumë vëmendje kanë tërhequr grupet nga Kili dhe Brazili, të cilët krijuan një atmosferë elektrizuese me performancat dhe energjinë e tyre në pedonalen dhe zonat kryesore të qytetit.
“Aulona Folk Festival”, që organizohet çdo vit në Vlorë, vijon ta kthejë qytetin në një qendër të kulturës dhe traditave ndërkombëtare, duke promovuar turizmin dhe shkëmbimin kulturor mes vendeve pjesëmarrëse./abcnews.al


