Aktivisti shqiptar Baki Goxhaj tashmë ndodhet në atdhe, pas përfshirjes në flotiljen humanitare drejt Gazës, ku ishte edhe i vetmi pjesëmarrës shqiptar mes rreth 400 aktivistëve nga 50 vende të botës.
Në një rrëfim për ABC News, ai tregoi momentet e ndalimit nga autoritetet izraelite, duke i cilësuar ditët e kaluara si “ditë dhune dhe burgimi”.
Goxhaj deklaroi se ai dhe aktivistët e tjerë u mbajtën fillimisht në kontejnerë dhe më pas në burg, ndërsa shtoi se kishte parë nga afër të gjithë skenën e publikuar në videot e ministrit izraelit. Pavarësisht situatës së vështirë, ai u shpreh se kishte qenë i përgatitur edhe për pasoja më të rënda, ndërsa theksoi se misioni humanitar synonte të thyente bllokadën ndaj Gazës dhe të sillte ndihma për popullsinë civile.
“Ishin ditë të vështira, ditë dhune i kam konsideruar unë. Kaluam ditë dhune dhe burgu në kontejner dhe më pas në tokë, unë e pashë me sy gjithë skenën që tregohet në videon e ministrit izraelit. Dhuna ishte ndaj të gjithëve. Kaluam një natë në burg dhe më pak na çuan në Stamboll. Ishin ditë të vështira. Bllokada izraelite ishte e paligjshme, si dhe pushtimin e Gazës.
Ne jemi në të drejtën tonë që ta thyejmë këtë bllokadë humanitare dhe të ofrojmë një hendek shpresë për popullin e rraskapitur të Gazës. Unë isha përgatitur edhe për më keq se aq. Jam shumë i lumtur për kaq sa ndodhi dhe që jam i lumtur, që jam afër familjes. Mbetet një mundësi që unë të bashkohem me flotat e tjera, por fokusi im do të jetë Shqipëria. Ky mbetet një mision tejet i rrezikshëm për t’u marrë”, u shpreh aktivisti.


