Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi do të ulen në bankën e të akuzuarve, përballë trupës gjykuese me relator Erjon Banin dhe anëtare Rudina Palloj dhe Marinela Osmani.
Shorti elektronik përcaktoi këtë treshe gjyqtarësh për të shqyrtuar në themel provat e Prokurorisë së Posaçme dhe kundërshtimet e dy të pandehurve në proces.
Kjo treshe u përzgjodh pak ditë pasi Gjykata e Posaçme ndau më vete çështjen ndaj Metës dhe Kryemadhit, pasi ato kërkuan të gjykohen me procedurë të zakonshme për shkak të pretendimeve që kanë mbi provat e grumbulluara nga organi i akuzës.
Ndërsa Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixho dhe Ema Çoku do të gjykohen me procedurën e shkurtuar, ku SPAK në 25 maj do japë konkluzionet përfundimtare për secilin prej tyre.
Struktura e Posaçme e akuzon ish ciftin e bashkëshorteve Meta-Kryemadhi për kryerjen e veprës penale të korrupsionit në 3 raste, për pastrim parash dhe për fshehje e mosdeklarim pasurie lidhur me hetimet për lobimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të ish Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe për aferën CEZ-DIA.
Për këtë çështje, i vetmi që mbahet në masën shtrënguese të arrestit në burg që prej tetorit të vitit 2024 është Ilir Meta, i cili ndonëse ka bërë kërkesa të njëpasnjëshme për tu liruar nga qelia, asnjëra prej tyre nuk është pranuar.


