TIRANË– Mereme Sela korrigjon padinë me të meta. Kandidatja e skualifikuar nga gara për kryetar të PD, ka dorëzuar padi të re në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, pasi kjo e fundit ia ktheu me argumentin se padia e parë as mund të dorëzohej, as mund të pranohej sepse kishte mangësi.
Kësaj radhe, Mereme Sela ka dorëzuar dokumentacionin e plotë të vendimeve partiake për skualifikimet dhe garën me një kandidat në PD, ndërsa është treguar shumë e kujdesshme edhe në detaje.
Mjekja ka dorëzuar çdo të dhënë si për veten dhe për doktorin. Të dhëna, ditëlindje, adresë shtëpie, por me apo pa dashje, në gjeneralitetet e dorëzuara për doktorin, ajo ka shkruar “Sali Berisha, i biri i Ramës”.
Atësia nuk ndryshohet apo mohohet, por mënyra e formulimit ironikisht i shkon më shumë për kundërshtarin politik.
Por përtej kësaj rastësie komike, tashmë çështja komplikohet, mund të bëhet tragjike. Mereme Sela s’ka më të meta. Ajo madje ka paguar edhe tarifat gjyqësore të padisë.
Sela kërkon pezullimin e zgjedhjeve të 23 majit në PD, rikthimin e saj në garën për kryetar, si dhe skualifikimin dhe moslejimin e kandidimit të Sali Berishës për kryetar referuar nenit Basha sipas statutit të PD.
Meremja e bëri të veten, tani i mbetet Gjykatës të vendosë për doktorin.
Zgjedhjet moderne të së shtunës, mund të kthehen në një festë të hidhur për doktorin. Gara me veten nuk qenka dhe aq e lehtë sa çfarë u mendua./abcnews.al


