Mësojnë duke u argëtuar. Në 46 shkolla 9 vjeçare në Tiranë ka nisur pilotimi i programit pas shkolle. “Vaçe Zela” është një prej tyre. Në këtë shkollë me rreth 500 nxënës janë hapur katër klasa me rreth 30 fëmijë secila.
Pas përfundimit orarit mësimor nxënësit përfshihen në aktivitete krijuese, sport, art, por dhe bëjnë detyrat e shtëpisë.
Mes orëve konsumojnë dhe ushqimin e marrë nga shtëpia. Qëndrimi i tyre në shkollë zgjat deri në orën 3 të drekës.
Mësuesit tregojnë se programi pas shkolle nuk ka për qëllim vetëm zgjatjen e qëndrimit të nxënësve në shkollë, por dhe zhvillimin e talentit të tyre.
Prindërit e kanë mirëpritur këtë nismë. Synimi është që vitin e ardhshëm programi të përfshijë më shumë nxënës.
Ministrja e Arsimit ka deklaruar se në këtë program mund të angazhohen mësues në pension apo profesionistë të arteve e sporteve dhe se pagesat për orët jashtë mësimit janë dyfishuar. Pas Tiranës kjo nismë synohet të shtrihet dhe në shkolla të qyteteve të tjera në vend.


