Ndikimi i luftës në ekonominë shqiptare vlerësohet se nuk do të jetë afatgjatë.
Në një takim me një delegacion të Bankës Botërore guvernatori Gent Sejko tha se tashmë po ndjehen efektet në rritjen e çmimeve por vlerësimet e institucioneve janë që efektet do të jenë kalimtare dhe nuk do të cënojnë zhvillimin e vendit
“Rritja e çmimeve të naftës dhe të energjisë në tregjet botërore mund të ndikojë në nivelet e inflacionit dhe ritmit të rritjes ekonomike në vend. Megjithatë, efektet e goditjes pritet të jenë kalimtare dhe të mos lënë gjurmë afatgjata në trendet e zhvillimit të vendit”, shprehet guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko.
Përsa i përket vendimit për të mos ndryshuar normën bazë të interesit kreu i Bankës Qendrore tha se aktualisht inflacioni mbetet nën objektiv dhe do vijojnë të monitorojnë situatën.
“Ndonëse pasiguria në kontekstin botëror mbetet e lartë, vendimet lidhur me politikën monetare kushtëzohen nga informacionet e reja dhe do të jenë gjithnjë në përputhje me objektivin e stabilitetit të çmimeve”, thotë Sejko.
Përfaqësues të Bankës Botërore vlerësuan politikën monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë, duke e konsideruar atë një kontribut të rëndësishëm në ecurinë pozitive të ekonomisë së vendit. Ndërsa shprehën vlerësimet lidhur me menaxhimin e raportit të kredive me probleme, i cili ka shënuar nivelet minimale të më shumë se një dekade, duke rënë nga 25% në vitin 2014, në 3.8% në 2026.


