Gjykata e Posaçme konfirmoi masën e sigurisë arrest në burg për Marsel Liccaj dhe detyrim paraqitje e ndalim i daljes jashtë vendit për vëllanë e tij Ermal Liçaj, të dy pjesëtarë të një grupi të strukturuar kriminal, i cili trafikonte heroinë nga Suedia drejt Danimarkës.
Hetimi fillimisht nisi nga autoritetet daneze të cilët identifikuan një grup të mirëfilltë kriminal që operonte në aktivitetin e paligjshëm të trafikut të drogës. Skuadra hetimore në Danimarkë ngriti një grup të përbashkët me prokurorinë e posaçme, duke shkëmbyer informacione në kohë reale sa i përket disa episodeve të trafikimit të drogës.
Burime për ABC News konfirmuan se në Shqipëri disa persona të cilët dyshohet se bënin koordinimin e lëvizjes së sasive të drogës, kanë qenë në përgjim dhe në vëzhgim, në mënyrë që të dokumentohej qoftë përmes bisedave ashtu edhe përmes pamjeve përfshirja e shqiptarëve në këtë aktivitet.
Pjesëtarët e këtij grupi kriminal i transportonin sasitë e heroinës me automjete, që kalonin përmes tunelit që lidh Suedinë me Danimarkën, vend ky i fundit ku ishte përgatitur edhe terreni për shitjen e saj.
Droga përgatitej në tregun danez për shitje, e përzier me lëndë të tjera si paracetamol dhe kafeinë, me qëllim maksimizimin e fitimeve.
Të dyja organet e zbatimit të ligjit, dokumentuan 7 episode trafiku në kohë të ndryshme, por nuk bëhet fjalë për ngarkesa të mëdha, pasi në disa prej tyre janë kapur 3 ose 4 kilogram.
Hetimi ndaj këtij grupi nisi në 2023 ku u provua se veprimtaria është shtrirë nga 1 tetor i të njëjtit vit deri më 23 janar 2024. Veprimet hetimore vazhdojnë për administrimin e provave lidhur me implikimin e personave të tjerë, të cilët dyshohet se janë përfshirë në këto veprimtari kriminale, teksa deri më tani i janë identifikuar 5 persona.


