Gjilani është pranë arritjes së marrëveshjes me një sulmues që ishte pjesë e Superiores në pjesën e parë të këtij sezoni. ABC News mëson se klubi që garon në Ipko Superliga e Kosovës ka nisur bisedimet me sulmuesin Darko Nikac.
Sulmuesi, i cili u largua nga Teuta pak ditë më parë, ka qenë një objektiv i Gjilanit edhe në verë. 12 golat e shënuar me skuadrën e Iskra i kishin bindur drejtuesit ta afronin për sulmin, por ishte Teuta që e bindi atë dhe ua hoqi nga duart dardanëve sulmuesin malazez.
Në Durrës ai shënoi vetëm një gol dhe tashmë pritet zyrtarizimi te Gjilani. Besohet se Nikac mund t’i bëjë punë stafit teknik me në krye trajnerin Mezani. Veç Nikac, pritet që të ketë edhe afrime të tjera dhe nuk përjashtohet mundësia që të tjerë lojtarë nga Superiorja të veshin fanellën e Gjilanit.
TRANSFERIMET E VERËS – Gjilani i drejtuar nga Gentian Mezani u përforcua në verë me shumë lojtarë nga Superiorja. Thuajse një formacion i tërë i marrë nga kampionati ynë, duke nisur me portierin Ruçi, për të vijuar me Jackson, Erlis Frashërin, Ylli Shametin, Franc Veliun dhe Oltion Rapën në mbrojtje.
Vlonjati afroi në skuadër edhe mesfushorin Fjoart Jonuzi, si dhe anësorët Bedri Greca dhe Gerhard Progni. Mezani nuk u ndal me kaq, pasi për sulmin mori edhe kroatin Tomislav Busic. Një formacion i tërë nga Superiorja, nëse shtohet edhe Muhamed Useini, i cili më parë ka luajtur me Flamurtarin. /abcnews.al