Presidenti amerikan Donald Trump mbërriti në Pekin, ku do të takohet me homoogun kinez Xi Jinping në një kohë tensionesh globale dhe sfidash për dy superfuqitë ekonomike të botës.
Trump u prit me ceremoni në aeroport nga një bandë frymore që luante muzikë dhe flamuj që valëviteshin, teksa ai u drejtua për në automjetin e tij presidencial.
Analisti Artur Nura tha se qasja ndaj çështjes së Iranit ka rezultuar një fiasko, pavarësisht entuziazmit fillestar për zgjidhjet e propozuara. Sipas tij, Trump vepron më shumë si biznesmen sesa me një strategji të qartë politike, duke krijuar paqartësi në vendimmarrjet ndërkombëtare.
“Të gjitha problematikat e zgjidhura të Iranit i kemi marrë me entuziazëm dhe doli një fiasko. Në këtë plan, më duket që Trump funksionon si biznesmen dhe nuk bën llogari strategjike në politikë. Në politikë veprohet sot me strategji për nesër, dhe po shkon në Pekin për të negociuar gjërat me diplomaci. Është në një qasje jo fort komode.
Sekretari i Jashtëm ndërroi emrin për të hyrë në Kinë për të shoqëruar Trump. Ka një mungesë qartësie në strategjitë ushtarake; edhe Lindja e Mesme tregoi se nuk kishin komunikimin e duhur me aleatët më të rëndësishëm. Një luftë ndodh për shkaqe ekonomike.”
Koloneli Sami Neziri tha se takimi mes palëve është i rëndësishëm, duke theksuar se Kina sot ka një pozitë më të fortë krahasuar me vitin 2017 për shkak të zhvillimeve në energjinë e rinovueshme, robotikë dhe inteligjencën artificiale. Neziri shtoi se mes palëve ekzistojnë interesa të ndërsjella, por Kina nuk e ka Trump-in nën kontroll.
“Takimi është i rëndësishëm; krahasuar me 2017, Kina ka një pozitë më të fortë për shkak të zhvillimeve në fusha të ndryshme si energjia e rinovueshme, robotika dhe inteligjenca artificiale. Ajo që e vë në pozitë më të fortë është konflikti në Iran; Kina dëgjohet në Teheran dhe SHBA e di këtë fakt. Kanë interesa të ndërsjella; Trump nuk është në dorën e Pekinit.”


