Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i cilësoi sulmet hibride ruse si shenjë dobësie, duke theksuar se Aleanca nuk do të lejojë që këto veprime të shpërqendrojnë vëmendjen nga mbështetja për Ukrainën.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Talin, me kryeministrin estonez, Kristen Michal, Rutte deklaroi se NATO do të reagojë aty ku është e nevojshme, pa rënë pre e provokimeve ruse.
“Ne jemi më të fortë. Rusia nuk është në një pozicion të mirë. Këto sulme hibride janë shenjë dobësie. Ata duan që ne të shqetësohemi dhe të flasim gjithë ditën për to. Ne nuk do ta bëjmë këtë. Do të reagojmë kur të jetë e nevojshme, por mbi të gjitha do të vazhdojmë të bëjmë atë që duhet: të investojmë në mbrojtje dhe të sigurohemi që Ukraina të ketë gjithçka që i nevojitet”, tha Rutte.
Nga ana e tij, kryeministri estonez, Kristen Michal, tha se taktikat frikësuese të Moskës synojnë të largojnë vëmendjen e vendeve evropiane nga lufta në Ukrainë.
“Putini po përdor këto taktika frikësimi në të gjithë Evropën. Mesazhi i tij është që ne të përqendrohemi te vetja dhe jo te Ukraina. Por ne po vazhdojmë të dërgojmë armë dhe të ofrojmë mbështetje. Mesazhi ynë është i qartë: do ta mbështesim Ukrainën më shumë, jo më pak, pavarësisht operacioneve hibride të Rusisë”, tha Michal.
Paralajmërimet vijnë një kohë ku Rusia ka shtuar sulmet duke lënë të paktën 600,000 njerëz në të gjithë Ukrainën pa energji elektrike.


