Përballë një rivali të tillë, duket thuajse e pamundur.
Oklahoma Thandër mundi edhe një herë Los Anxhelos Lejkërsat, duke qenë tani vetëm një hap larg kualifikimit në finalen e Konferencës Perëndimore në basketbollin amerikan.
Kampionia në fuqi e NBA-së, sërish nuk e pati të lehtë, por përsëri ia doli të triumfonte thellë ndaj një kundërshtari që për fat të keq nuk erdhi në plej of në formën më të mirë, sepse ylli numër 1, Luka Doncic, mbetet I dëmtuar.
Rezultati në Arenën në Los Anxhelos ishte 131-108, pra me 23 pikë diferencë, edhe pse deri në gjysmën e periodës së tretë sfida ishte në ekuilibër.
Nuk ishte nevoja që Shei Gilgës Aleksandër të bënte mrekulli, madje ai nuk pati një mbrëmje të mirë.
Ylli kryesor i Oklahomës gaboi shumë në gjuajtje, ndonëse shënoi 23 pikë, kapi 4 topa në tabela e shërbeu 9 asistë.
Po ashtu, pati një vjedhje topi dhe dy bllokime gjuajtjesh.
Plot 7 lojtarë miq realizuan me nga dy shifra, Miçëll 24 pikë, Dort 20, Homgren 18, Uollas 16, dhe Hartenstein e Xho nga 12 pikë.
Për Lejkërsat nuk mjaftoi Lebron Xhejmsi me 19 pikë, 6 topa në tabela e 8 asistë, Haçimura me 21 pikë dhe Ostin Rivs me 17 pikë, 3 topa në tabela e 9 asistë.
Oklahoma ka 7 fitore radhazi këtë sezon në plej of, dhe po ashtu ka 7 fitore në 7 ndeshje ndaj Lejkërsave këtë edicion.
Nëse triumfon edhe në sfidën e radhës përsëri në Kaliforni, do të kalojë në finalen e dytë radhazi në Konferencën Perëndimore.


