TIRANË- Duke folur në Kuvend, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla theksoi se ngjarja tragjike në Durrës kërkon reflektim të menjëhershëm nga të gjitha palët politike, pa dallime ideologjike. Ai argumentoi se zbatimi aktual i ligjeve nuk është i mjaftueshëm për të parandaluar raste të tilla, duke marrë si shembull faktin se masa si heqja e pikëve në patentë nuk janë proporcionale me pasojat e rënda që mund të ndodhin.
Sipas tij, Shqipëria duhet të reagojë shpejt dhe të përshtasë legjislacionin për të trajtuar më ashpër këto raste.
Në fjalën e tij, Balla bëri thirrje të drejtpërdrejtë ndaj Policisë së Shtetit për të marrë masa më të forta ndaj personave problematikë në komunitet, të cilët i quajti “të fortët e lagjeve”. Ai kërkoi që këta individë të monitorohen vazhdimisht dhe të mos lejohen të kenë akses në mjete që mund të rrezikojnë jetën e qytetarëve.
Më pas Balla mbrojti reformën në drejtësi, duke e cilësuar si një nga sukseset më të mëdha institucionale në vend. Ai theksoi se për herë të parë në historinë e Shqipërisë, individë nga të gjitha krahët politikë po përballen me drejtësinë, duke e konsideruar këtë si provë të funksionimit të saj dhe kritikoi sulmet ndaj institucioneve të drejtësisë dhe bëri thirrje për ndalimin e presioneve ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve. Sipas tij, sistemi i ri garanton pavarësi dhe fundin e praktikës së vjetër ku politika ndikonte në emërimet në drejtësi.
Në vijim, Balla theksoi rëndësinë e respektimit të procedurave ligjore, duke nënvizuar se çdo akuzë duhet të depozitohet në organet përkatëse dhe jo të përdoret për retorikë politike. Ai ndau edhe përvojën e tij personale si dëshmitar në gjykatë, duke theksuar se përpara se të jesh politikan, je qytetar që duhet t’i bindet ligjit.
Balla kritikoi mungesat në raportimin e ministrave në Kuvend, duke theksuar se institucionet ekzekutive janë të detyruara të japin llogari përpara parlamentit. Ai kërkoi që raportimi të bëhet i rregullt dhe sistematik, sidomos për çështje të rëndësishme si procesi i integrimit europian.
Ai theksoi rolin kyç të Kuvendit në monitorimin e negociatave me BE-në, duke kërkuar që çdo hap dhe çdo pozicion negociues të diskutohet dhe të bëhet transparent për deputetët.
Ndërkohë më tej, Balla vlerësoi punën e ministrit të Jashtëm Ferit Hoxha, duke e cilësuar si një nga diplomatët më të mirë të Shqipërisë në dekadat e fundit. Ai theksoi eksperiencën e tij ndërpartiake dhe kontributin në përfaqësimin e vendit në arenën ndërkombëtare.
Ai kritikoi sulmet personale ndaj tij, duke i konsideruar të pabazuara dhe jashtë standardeve politike. Sipas Ballës, debati duhet të mbetet në nivel institucional dhe jo të degradojë në sulme personale.
Në fund, Balla kundërshtoi pretendimet e opozitës për dështimin e procesit të integrimit, duke theksuar se Shqipëria është në një fazë të avancuar dhe madje përpara Serbisë në disa aspekte. Ai përmendi deklarata ndërkombëtare që e rendisin Shqipërinë si një nga vendet pararojë për anëtarësim në BE.
Ai bëri thirrje për një qasje më kombëtare ndaj integrimit, duke kërkuar që opozita të pranojë arritjet dhe të mbështesë procesin. Sipas tij, integrimi europian duhet të jetë një objektiv i përbashkët mbi interesat partiake.
Fjala e plotë:
Në vijim të asaj që tha kolegu Braçe dhe duke e mbështetur plotësisht nevojën që kemi për të reflektuar të gjithë pa asnjë dallim të majtë, djathtë, socialistë, demokratë, ngjarja e djeshme është një ngjarje që na kërkon ne këtu të fillojmë të kuptojmë se si zbatohen ligjet tona.
Shembulli që dha zoti Braçe është kuptimplotë: nëse ne si Kuvend do mjaftohemi me heqjen e pikëve në patentë, një ngjarje e tillë, kjo është e rëndë për ne. Dhe prandaj, po diskutoja edhe me kryetarin e Komisionit të Ligjeve, në kushtet që jemi pranë një faze të rishikimit të Kodit Penal, SHBA, unë nuk i di të tjerat, por Gjykata e Lartë e SHBA-së ka vendosur konceptin e vrasjes në kushtet e vetëbesimit të tepruar. Dhe si koncept në rastet e këtyre. Por zoti Manja më shpjegoi edhe raste të tilla, të tjera, në Gjermani apo vende të tjera, kështu që mendoj, kolegë, që përgjigjja jonë në këtë rast duhet të jetë e menjëhershme, sapo të kemi mundësinë që të ndryshojmë kodin.
Dhe kam edhe një thirrje për Policinë e Shtetit, e cila këtë rast duhet ta analizojë me shumë vëmendje. Këta të fortët e lagjeve, këta duhen bërë shembull të gjithë. Këta të fortët e lagjeve duhen kontrolluar mëngjes, drekë, darkë dhe këta të fortët e lagjeve nuk kanë pse të kenë fare patentë.
Këta, këta duhet gjetur çdo lloj arsye për t’i pamundësuar në vlerësimin tim, me të drejtën e fjalës, me të drejtën e fjalës që ma jep Kushtetuta, zoti Berisha.
Tani, besoj edhe ti je dakord që këta të fortët duhen, duhen bërë shembull nga Policia e Shtetit në çdo komunitet.
Këtu e mbyll këtë çështje, për të shkuar përsëri, po, në të njëjtën fushë, ju kam dëgjuar sot që të sulmoni reformën në drejtësi. Dhe e bëni këtë dy herë në muaj tek dera e Institucionit të Prokurorisë së Posaçme dhe të Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Dhe mendoj që reforma në drejtësi është një sukses. Ne jemi një vend që nga viti 1912 nuk kemi pasur drejtësi, por suksesi më i madh i reformës tonë në drejtësi, zonja e zotëri, është që ka të majtë, të djathtë, socialistë dhe demokratë që sot përballen me drejtësinë. Nuk do t’ia kishim arritur kurrë kësaj dite që para drejtësisë të shkojnë të gjithë. Dhe drejtësia, dhe drejtësia… Unë nuk e di pse bërtisni, por kur flisni ju, ne nuk bërtasim. Padyshim që radhën e kanë ata që i kanë futur duart në xhep qytetarëve.
Dhe reforma në drejtësi përfaqëson një nga transformimet më të rëndësishme institucionale. Thirrja ime për ju është t’i lini sulmet personale ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Prokurorët dhe gjyqtarët bëjnë një punë për të cilin ja kemi besuar ne në ndryshimet kushtetuese. Koha kur ky parlament emëronte prokurorë apo gjyqtarë ka përfunduar.
Ne votonim në këtë sallë për të emëruar gjyqtarë, nuk ka më.
Dhe sa i përket, sa i përket akuzave, ka një standard: kushdo që ka një akuzë, të shkojë ta bëjë, ta depozitojë atje. Javën e kaluar, ditën e enjte, jam gjendur në Gjykatën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe do kisha shumë dëshirë që njëri prej personave të ishte aty. Megjithatë, kam vlerësuar lart procedurën që bënte Gjykata, ku edhe në cilësinë e dëshmitarit s’duhet të harrosh kurrë se përpara se të jesh politikan, je një qytetar i thjeshtë. Dhe respektimi, respektimi i rregullave dhe i ligjit duhet të jetë rregull për të gjithë.
E fundit, që lidhet me një çështje që u përmend këtu nga parafolësi, sa i përket një raportimi normal në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë. E para e thashë aty, po e them edhe ministrave. Ministrat duhet të kuptojnë që Kuvendi është pushteti ku nuk shmangesh dot për të raportuar, Kuvendi është pushteti legjislativ ku je i detyruar të paraqitesh sa herë të të thërrasë Kuvendi dhe ajo që ka ndodhur sot në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme duhet të jetë një punë e përjavshme, e përmuajshme, për të mbajtur të informuar Kuvendin për gjithçka bën, shtuar këtu dhe një autoritet të veçantë që ia ka dhënë ligji për rolin e Kuvendit të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE, ku për çdo pozicion negociues, për çdo hap që hedh Shqipëria drejt anëtarësimit në BE, duhet që të informohet Komisioni.
Tani, zoti Këlliçi, atë që ju thashë në Komision, po ja them dhe këtu. Ministri ynë i Jashtëm është një prej ambasadorëve më të mirë që ka pasur Shqipëria në këto 35 vjet. Ka punuar me të gjitha qeveritë, dy herë me qeveritë e Sali Berishës kur ju ishit në pushtet dhe dy herë me ne kur ne kemi pasur nderin e madh të qeverisim vendin.
Dhe e vërteta është që Ferit Hoxha, Ferit Hoxha është duke bërë një punë të shkëlqyer në një kohë kaq të shkurtër që ka marrë Ministrinë e Jashtme dhe sa i përket, sa i përket asaj që thua ti, edhe sulmeve të natyrës personale që bëni, që bëni ndaj një ambasadori apo ministrit të jashtëm, pa pasur asnjë lloj lidhje, ndërkohë që i referoheni standardit që kemi vendosur ne, ne nuk merremi as me vëllezërit, as me motrat e as secilit prej jush.
Tani, tani, e vërteta është që, ju lutem, kolegë, mos u provokoni, e vërteta është që përgjigjen ta dha ministri, ndërkohë që besoj duhet ta kishe ndarë dhe me kolegët e grupit tënd parlamentar të Partisë Demokratike, keni dy muaj, tre muaj që dilni e bërtisni: “Jo, Ibari ka dështuar!”, Njëri sot, Tritani, po nuk është këtu, tha, “Ibari është rrëzuar!”, ndërkohë që Ibari ende nuk është shqyrtuar nga Këshilli. Erdhi Tritani aty sot, tha, “E ka rrëzuar Këshilli”, ndërkohë që s’është zhvilluar mbledhja.
Dhe e vërteta është, siç u tha ministri. Dhe unë po citoj jo ministrin tim të jashtëm, të Shqipërisë tonë të përbashkët, por po citoj…Po mirë, mirë, dakord, ti në rregull je i fut një paçe, po unë po flas për gjë tjetër, patjetër. Dhe ajo që po flasim, po flasim për Kaja Kallas, ministrja e jashtme, ministrja e jashtme e Europës, e cila tha që, padyshim tha, që Shqipëria, tha, bashkë me Malin e Zi, janë dy vende pararojë, që Shqipëria dhe Mali i Zi do të jenë dy anëtarët më të reja të BE-së, që Shqipëria në fund të majit apo në fillim të qershorit do të miratojë raportin për piketat e ndërmjetme, për ata që s’e dinë, ky raporti për piketat e ndërmjetme është ky Ibari i famshëm dhe që Shqipëria sot është pas 12 vitesh kur Serbia hapi negociatat, në janar të 2014-s, Serbia hapte negociatat.
Ne i hapëm negociatat 10 vite më pas, për shkak se në atë kohë s’kishim as statusin e kandidatit kur ikët ju nga pushteti dhe sot e kemi lënë Serbinë mbrapa dhe për shkak se kemi një metodologji të re që nuk ishte për Serbinë dhe Malin e Zi, ne prapë jemi shumë përpara Serbisë.
Dhe këtë fakt nuk duhet ta mohojë askush prej jush.
Sa kohë që Shqipërinë e kemi atdheun tonë të përbashkët, merrni guximin, dilni përtej urdhrave të Partisë dhe thoni: “Shqipëria jonë e përbashkët sot në rrugën e integrimit europian është përpara Serbisë.” …Patjetër, unë, unë ty të injoroj, unë ty të injoroj se ty të përdorin siç thoshte një, siç thoshte një ish-kryeministër për “New York Times-in”. Mban mend si të thoshte një ish-kryeministër për “New York Times-in”, kështu të konsideroj dhe unë ty. Faleminderit.


