Një proces zgjedhor pa garë pritet të zhvillohet më 23 maj në Partinë Demokratike, ku në fletën e votimit do të jetë vetëm emri i Sali Berishës. Vendimi i KOKOE për skualifikimin e kandidatëve të tjerë ka lënë jashtë çdo alternativë përballë tij, duke e kthyer procesin në një votim formal.
I ftuar në “Tirana Live” në ABC News, analisti Artur Nura u shpreh se rezultati ishte i parashikueshëm dhe se i gjithë procesi po zhvillohet më shumë si një skenar për të krijuar idenë e demokracisë së brendshme.
Sipas tij, kjo situatë nxjerr në pah kontradiktat brenda partisë dhe ngre pikëpyetje mbi standardet e zgjedhjeve të brendshme, në një kohë kur kritikat për mungesë gare dhe përjashtim të figurave të tjera vijojnë të shtohen.
“Rezultat ishin të ditura. Nuk kishte diçka të paditur. Gjithçka është një skenë për të treguar që këtu ka demokraci dhe për të shmangur problemet e brendshme. E gjithë kjo situatë, ka nenin Basha që nxjerr lakuriq Berishën. Nëse Berisha flet për zgjedhje të manipuluara, ai po bën të njëjtën gjë. Morali qëndron që Berisha ka dalë lakuriq.
Nuk jep dorëheqjen, por po manipulon zgjedhjet brenda PD. Kur PD keqpërdoret, është për të qeshur edhe për të qarë. Po shkon drejt një shuarje, sepse nuk ka shanse për të ardhur në pushtet. Të gjithë ata që janë seriozë u është mbyllur dera. Meremja dhe Vladimiri nuk janë figura të denja për të qenë në krye të partisë më të madhe opozitare në vend. Do të kemi “one show men”. Të gjitha kandidaturat e vendosura me fytyrën e Berishën. Një “one shw men”, një person që do të marrë 99.99% të votave. Do të bëhet një estradë”, tha Artur Nura.


