Në një lidhje direkte nga Athina për ABC e Mëngjesit, portieri shqiptar Klidman Lilo rrëfen momentin më të madh të karrierës së tij, një triumf që do të mbahet mend gjatë në futbollin grek.
Me fanellën e OFI-t, Lilo u bë protagonist i një fitoreje dramatike 2-3 në finalen e Kupës së Greqisë përballë PAOK-ut, duke shkruar historinë për klubin e tij, i cili rikthehet te trofeu pas plot 39 vitesh.
“U hodha në fushë në minutën e 89-të, kur rezultati ishte ende 1-2. Ishte një moment i vështirë, por besuam deri në fund. Gjetëm golin e barazimit dhe më pas fitoren në minutën 105+4 nga pika e bardhë”, tregon ai, duke përshkruar emocionet e një nate që ndryshoi gjithçka.
Ky sukses nuk është vetëm një fitore për klubin, por edhe për një djalë që e nisi gjithçka nga pasioni i trashëguar nga i ati. Lilo tregon se lidhja e tij me futbollin nisi që në moshën 5-vjeçare:
“Babai im e donte shumë këtë sport dhe ma ushqeu edhe mua. Me kalimin e viteve kuptova që kjo ishte ajo që doja vërtet dhe e ktheva në profesion.”
Edhe pse ka provuar role të ndryshme në fushë, zgjedhja për të qenë portier erdhi natyrshëm:
“Ky pozicion ka sfida të mëdha dhe kërkon instinkt. E ndjeva që aty ishte vendi im.”
Karriera e tij mori formë nga akademia e Panathinaikos, për të vijuar më pas te OFI, ku këtë sezon ka regjistruar 8 ndeshje në kampionat dhe 4 në Kupë, mjaftueshëm për të lënë gjurmë.
Frymëzimi i tij vjen nga emra të mëdhenj të portës si Thomas Strakosha dhe legjenda gjermane Manuel Neuer, ndërsa ëndrra e radhës është e qartë: Kombëtarja shqiptare.
“Kam qenë pjesë e Shpresave deri vitin e kaluar. Të veshësh fanellën e Kombëtares është një ndjenjë sureale. Tani pres një ftesë nga ekipi A, është një ëndërr që shpresoj të realizohet.”
Nga një djalë që nisi me ekipet lokale, në një hero finalesh që valëvit flamurin shqiptar në Athinë historia e Klidman Lilos është dëshmi se ëndrrat bëhen realitet… kur nuk dorëzohesh kurrë.


