Teksa afati për të zgjedhur një president në Kosovë po i afrohet fundit, emri i Vjosa Osmanit ka dalë sërish në skenë.
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se partia e tij mund ta propozojë presidenten që s’ka shumë që mbylli mandatin, nëse Vetëvendosje e Albin Kurtit i garanton 66 vota për të.
Reagimi i Abdixhikut erdhi në përgjigje të partisë në pushtet, e cila I kërkoi partive opozitare, Lidhjes Demokratike dhe Partisë Demokratike të Kosovës, të dalin me tre emra për kreun e ri të shtetit dhe Vetëvendosje do të tërhiqej nga propozimet e saj, Glauk Konjufca dhe deputetja Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.
Abdixhiku tha se nëse Kurti kërkon marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, atëherë duhet ta bëjë të qartë, megjithatë gjithë këtë e quajti një manovër politike.
Kosova shkon në zgjedhje të reja parlamentare, nëse një president i ri nuk zgjidhet brenda një afati kushtetues, deri të martën e 28 prillit.
Opozita e sheh me dyshim ofertën e re të Kurtit, ndërsa kreu i Partisë Demokratike të Kosovës e cilësoi joserioze dhe tha se çështja e Presidentit është e mbyllur për të.
Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para të votimit, apo me 61 vota në rundin e tretë. Por në mënyrë që seanca të mundë të mbahet, në sallë nevojitet të jenë të pranishëm 80 deputetë.
Kjo do të kërkonte një marrëveshje mes partive, pasi asnjë prej tyre, as vetë Vetëvendosje me 57 deputetë, nuk e kanë numrin e duhur për të siguruar të vetme daljen e vendit nga kriza gati 2-vjeçare.


