Një kontroll i befasishëm është zhvilluar mëngjesin e kësaj të shtune në ambientet e paraburgimit të Vlorës, duke vënë në lëvizje një numër të konsiderueshëm forcash operacionale.
Rreth 70 efektivë, në bashkëpunim me përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, kanë ushtruar kontrolle të imtësishme për më shumë se një orë e gjysmë brenda këtij institucioni të vuajtjes së dënimit.
Përmes një njoftimi, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve deklaroi se gjatë kontrollit u verifikuan regjimi i brendshëm dhe ai i jashtëm, përfshirë 58 dhoma dhe ambientet e përbashkëta.
Nga kontrolli i ushtruar, për rikontroll u sekuestruan 3 televizorë dhe 1 aparat digjital të pa vulosur, si dhe u konstatuan dhe sekuestruan sende të ndaluara të prodhuara në mënyrë artizanale.
“Në vijim të kontrolleve të befasishme për rritjen e sigurisë në institucionet penitenciare, sot, datë 25.04.2026, u zhvillua një aksion kontrolli në IEVP Vlorë. Në zbatim të Urdhrit Nr. 626, datë 07.04.2026 të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Adriatik Kupi kontrolli u ushtrua nga Forcat Operacionale dhe Speciale, në bashkëpunim me forcat e Grupeve te Sigurisë nga IEVP Durrës, Elbasan, Fier dhe Berat.
Gjatë kontrollit u verifikuan regjimi i brendshëm dhe ai i jashtëm, përfshirë 58 dhoma dhe ambientet e përbashkëta. Nga kontrolli i ushtruar, për rikontroll u sekuestruan 3 televizorë dhe 1 aparat digjital të pa vulosur, si dhe u konstatuan dhe sekuestruan sende të ndaluara të prodhuara në mënyrë artizanale. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve do të vijojë kontrollet e befasishme në të gjitha institucionet penitenciare, me qëllim garantimin e rendit, sigurisë dhe respektimit të ligjshmërisë”, thuhet në njoftim./abcnews.al


