Liverpool vazhdon marshimin drejt titullit kampion. Ekipi i Jurgen Klopp pret Wolves në “Anfield” nesër (17:30) dhe synimi është fitorja e radhës. “The Reds” numërojnë 17 fitore dhe një barazim në 18 javët e parë dhe kundër Wolves është ndeshja e fundit e fazës së parë.
Diferenca me Leicester City të vendit të dytë është 13 pikë dhe nesër mund të barazohet rekordi i Barcelonës. Ekipi katalanas regjistroi vetëm një barazim kundër Real Madrid dhe të gjithë ndeshjet e tjera fitore në fazën e parë të sezonit 2012-2013.
Jo vetëm Barcelona. Kampionët e Botës kanë barazuar edhe rekordin e Liverpoolit të vitit 1988, i cili e mbylli fazën e parë me një diferencë prej 13 pikësh ndaj vendin e dytë. Nëse Leicester nuk ia del të fitojë kundër West Ham në transfertë dhe Liverpool mposht Wolves, diferenca do të thellohej dhe ky do të ishte një rekord fantastik.
Kryesuesit kanë luajtur një ndeshje më pak se ekipet e tjera dhe diçka e tillë do të sillte diferencën më të madhe mes vendit të parë dhe të dytë që është regjistruar ndonjëherë në Premier League. /abcnews.al