Një situatë e rëndë alarmi është regjistruar ditën e sotme në Piazza Medaglie D’Oro, në zonën e Arenellës në Napoli, ku një grabitje e armatosur në një degë të bankës “Credit Agricole” u përshkallëzua në pengmarrje.
Sipas autoriteteve italiane, tre deri në katër persona të maskuar, me fytyra të mbuluara me maska letre që imitonin personazhe filmash, u barrikaduan brenda ambienteve të bankës. Ata mbajtën peng rreth 25 persona, mes tyre punonjës dhe klientë që ndodheshin në vendngjarje në momentin e sulmit.
Forcat e rendit rrethuan menjëherë zonën, ndërsa në operacion u përfshinë edhe zjarrfikësit, të cilët ndërhynë duke hapur me forcë derën prej xhami të hyrjes për t’i mundësuar hyrjen policisë.
Pas ndërhyrjes nisi një proces negociatash me autorët, i cili përfundoi me lirimin e të gjithë pengjeve pa pasoja të rënda për jetën e tyre. Autorët e dyshuar arritën të largohen nga vendi i ngjarjes dhe aktualisht janë në kërkim nga autoritetet.
Policia vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e tyre, ndërsa zona është rikthyer në normalitet pas disa orësh tensioni.


