Sondazh

A do të zgjasë gjatë konflikti në Iran?

Loading ... Loading ...
 

Meloni pret Zelenskyn në Romë: Italia do prodhojë dronë, mbështetja për Ukrainën ka rëndësi strategjike

schedule19:19 - 15 Prill, 2026

schedule 19:19 - 15 Prill, 2026

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, zhvilloi sot një takim në Romë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Pas takimit, Meloni theksoi rëndësinë strategjike të mbështetjes për Ukrainën dhe sigurinë e Evropës.

“Ne e konsiderojmë mbështetjen për Ukrainën si një çështje me rëndësi strategjike. Italia synon të kontribuojë për arritjen e zgjidhjeve të pranuara bashkërisht që mund të mbrojnë sovranitetin e Kievit”, tha Meloni.



Kryeministrja italiane shtoi se Italia, brenda grupit të vendeve G7, do të vazhdojë të promovojë masa për të ushtruar presion ekonomik mbi Rusinë dhe do të punojë për të garantuar mbështetje ekonomike për Ukrainën, sipas vendimeve të Këshillit Evropian.

Meloni gjithashtu theksoi se Italia shpreson që procesi i pranimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian të fillojë dhe se vendi i saj dëshiron të zhvillojë prodhim të përbashkët të dronëve me Kievin, një sektor ku Ukraina ka një rol kyç.

Gjatë takimit, dy liderët diskutuan edhe situatën në Iran.

“Ne vazhdojmë të besojmë në armëpushim dhe shpresojmë që procesi i paqes të rifillojë, edhe pse situata nuk është e lehtë”, tha Meloni, duke kujtuar gjithashtu solidaritetin e dy vendeve ndaj shteteve të Gjirit.

Nga ana e tij, Zelensky theksoi bashkëpunimin me Italinë për garantimin e sigurisë dhe falënderoi kryeministren italiane për përpjekjet e saj personale në mbrojtje të interesave evropiane.

“Diskutuam situatën në Lindjen e Mesme dhe Gjirin. Pas kësaj lufte, është e rëndësishme të rritet siguria. Kostoja e jetesës dhe rreziqet energjetike po rriten, ndaj kemi nevojë për një sistem efektiv mbrojtës. Qëllimi ynë është të bashkojmë aftësitë tona me ato të partnerëve, dhe ka interes nga Italia për të rritur bashkëpunimin midis ndërmarrjeve tona të sektorit të mbrojtjes”, tha Zelensky.  / abcnews.al /

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!